Mbështetja për vreshtarinë, Shqipëria i bashkohet Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV) - Portali i Fermerit

26

Jul

Mbështetja për vreshtarinë, Shqipëria i bashkohet Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV)


U miratua në Kuvend projektligji "Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për themelimin e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV)", i cili është në përputhje me programin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare.

Projektligji i ri për vreshtarinë dhe verën përafron direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian dhe nëpërmjet tij synohet mbrojtja e verërave shqiptare dhe prodhuesve duke hedhur bazat për kultivimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të varieteteve autoktone shqiptare dhe për rrjedhojë të verës shqiptare.

Shqipëria është vendi i 50- të që i bashkohet kësaj organizate të formuar në vitin 1924, e cila këtë vit feston 100 vjetorin e saj. Aderimi në këtë organizatë do të krijojë hapësira bashkëpunimi midis vendeve pjesëmarrëse në funksion të:

promovimit dhe udhëheqjes së hulumtimit shkencor dhe eksperimentimin teknik për marrjen e rekomandimeve për kushtet e prodhimit të rrushit,

përdorimit të praktikave enologjike,

garantimit të autenticitetit të produkteve të vreshtarisë duke mbrojtur treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës

si dhe për metodat për analizimin dhe vlerësimin e produkteve të vreshtarisë.

Industria e prodhimit të verës po zhvillohet mjaft vitet e fundit, duke investuar vlera jo të vogla financiare, teknologji bashkëkohore, por edhe me ambicie për t'ju përgjigjur kërkesës në rritje tregut vendas dhe atij të huaj.

Vera shqiptare ka regjistruar shifra shumë pozitive në terma të prezencës në tregje ndërkombëtare, ku janë eksportuar rreth 62 tonë në 2023, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2022 (26 tonë).

Në fund të vitit të kaluar janë prodhuar 26,642 hekto/litër verë si dhe u numëruan rreth 9800 ha sipërfaqe vreshta në prodhim.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon mbështetjen e këtij sektori me anë të Skemës Kombëtare.

Kategori