Zv.ministri Jaupllari në Konferencën Ministeriale të Brukselit: Biosiguria dhe vaksinimi, për parandalimin, e çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve - Farmer Portal

25

Jan

Zv.ministri Jaupllari në Konferencën Ministeriale të Brukselit: Biosiguria dhe vaksinimi, për parandalimin, e çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve


Zëvendministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, mori pjesë në Konferencën Ministeriale me temë "Biosiguria dhe vaksinimi, mjetet e rëndësishme në parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve ", që u zhvillua në Bruksel.

Konferenca Ministeriale kishte në fokus të veçantë semundjen e Murtajes Afrikane të derrave dhe sëmundjen e Gripit të shpendëve me patogjenitet të lartë.

Jaupllari bëri të ditur se, mesazhet kyç që u përcollën nga kjo konferencë, ishin që biosiguria me kominikimin dhe ndërgjegjësimin ndërmjet fermerëve dhe prodhuesve që mbarështojnë derra, është e një rëndësie të veçantë për parandalimin e ASF.

Ministeriali theksoi faktin, që për sëmundjen e ASF, nuk ka një vaksinë efikase për parandalimin dhe kontrollin, teksa parashtroi me rëndësi roli e Shërbimit Veterinar në kryerjen e kontrolli sipas protokolleve ligjore.

"Konferenca Ministeriale vuri theksin, në rolin e rëndësishëm që kanë Shërbimet Veterinare të vendeve për të kontrolluar kërkesat e biosigurisë dhe hartimin e një kornize të qartë legjislative për zbatimin e këtyre kërkesave", deklaroi Jaupllari.

ASF aktualisht është prezent në shume vende të BE-së dhe të rajonit si Maqedonia e Veriut, Kosovë, Greqi dhe së fundmi sëmundja është shfaqur edhe në Republiken e Malit të Zi, tek derrat e egër.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me qëllim mbrojtjen e territorit nga hyrja e virusit të Murtajës Afrikane të Derrave, ka marrë disa masa të menjëhershme siç janë, ndalimi dhe tranzitimi në Republikën e Shqipërisë të ngarkesave me kafshë të gjalla, produkteve te tyre, materialit biologjik, embrioneve të kafshëve të llojit derra, mishin e freskët dhe nënproduktet e tyre, nga vende, zona dhe territore ku është shfaqur sëmundja, bazuar nga njoftimet e marra nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve dhe nga sistemi elektronik i informacionit të sëmundjeve të kafshëve të BE-së.

MBZHR bën të ditur se, në vendin tonë nuk ka asnjë rast të shfaqur të këtyre sëmundjeve dhe se strukturat tona janë në ndjekje të situatës për të parandaluar përhapjen e territorin shqiptar.