Denaj: Markata e peshkut në Vlorë, kushte optimale për sigurinë ushqimore - Farmer Portal

23

Jun

Denaj: Markata e peshkut në Vlorë, kushte optimale për sigurinë ushqimore


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, së bashku me kryetarin e bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, vizituan markatën e re të peshkut , një investim i qeverisë që do të menaxhohet nga bashkia.
Administrimi nga bashkia do të garantojë që investimi të sjellë përfitime maksimale, si një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë blu në Shqipëri.
Markata e re e peshkut është një investim prej 186 milionë lekë,e cila ka një hapësirë prej 1300 m² dhe 14 dhoma frigoriferike, duke ofruar kushte optimale higjeno-sanitare për sigurinë ushqimore dhe rritjen e kapaciteteve magazinuese.
Kjo markatë, e integruar me portin e peshkimit dhe portin e ri tregtar të Vlorës, do të funksionojë sipas standardeve të BE-së, duke formalizuar sektorin dhe lejuar eksportin e produkteve direkt në vendet e BE-së.

Me herët ministrja Denaj zhvilloi një takim me peshkatarët e Vlorës, ku diskutuan sfidat dhe mbështetjen e dhënë për sektorin, i cili ka gjithë vëmendjen e qeverisë për zhvillimin e mëtejshëm të tij.
"Si përgjigje e fokusit tonë ndaj sektorit, investimet në markatat e peshkut janë një provë e këtij angazhimi. Ky investim do të mbështesë peshkatarë të vegjël e të mëdhenj, duke fuqizuar një sektor në rritje të vazhdueshme dhe duke siguruar eksporte për produktet e tyre në vendet e BE-së", tha Denaj.