Denaj: Mbështje grave rurale në 4 bashki për bletari, përpunim ushqimor e agroturizëm - Farmer Portal

20

Mar

Denaj: Mbështje grave rurale në 4 bashki për bletari, përpunim ushqimor e agroturizëm


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Marco Alberti, prezantuan sot në Tiranë, projektin 3- vjeçar "Fuqizimi i Grave për Zhvillim Rural në Shqipërinë Veriore".

Ky projekt do të zbatohet në 4 bashki të vendit, dhe në fokus do të jetë mbështetja e grave në sektorin rural.

Denaj tha se, 220 gra nga Bulqiza, Dibra, Malësia e Madhe dhe Shkodra do të mbështeten për të ndërtuar të ardhmen e tyre në bletari, përpunim ushqimor dhe agroturizëm, sektorë që sjellin pavarësi ekonomike dhe zhvillim.

Ajo vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të grave në çdo aspekt të shoqërisë veçanërisht në bujqësi dhe zhvillim rural.

"54% e fuqisë punëtore në bujqësi përbëhet nga gratë. Politikat dhe programet e MBZHR janë të orientuara drejt fuqizimit të grave fermere. Me Kredinë e Butë dhe Garancinë Sovrane, nxisim investimet për agrobiznese të drejtuara nga gratë, duke u siguruar atyre më shumë mbështetje financiare dhe mundësi", u shpreh Denaj.

Ajo vuri në dukje se, fuqizimi i grave është mision, vizion dhe angazhim.