Denaj: Eksportet bujqësore shënuan rritje me 18% - Farmer Portal

21

Mar

Denaj: Eksportet bujqësore shënuan rritje me 18%


Produktet bujqësore "Made in Albania" po rrisin praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet e huaja.

Eksportet bujqësore shënuan rritje me 18% gjatë muajit shkurt, krahasuar me shkurtin e një viti më parë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se performanca pozitive e sektorit bujqësor tregon punën e palodhur të fermerëve për produkte cilësore "Made in Albania", konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

"Të dhënat tregojnë se gjatë muajit shkurt të këtij viti eksportet bujqësore u rritën me 18% në sasi dhe 15% në vlerë", u shpreh Denaj.

Sipas saj, do vijohet me politikat mbështetëse për të gjithë njerëzit e punës, drejt objektivit të qeverisë 1 miliard dollarë eksporte deri në vitin 2030.

Qeveria ka rritur buxhetin për bujqësinë dhe zhvillimin rural në vitin 2025.

Buxheti prej rreth 15 miliardë lekësh adreson prioritetet për mbështetjen e fermerëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit.

Buxheti përfshin gjithashtu financimin e politikave për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, ekonomisë blu dhe digjitalizimin.