01
FebMinistrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantuan sot në Gjirokastër, Strategjinë Kombëtare të Agroturizmit, një plan i qeverisë shqiptare për zhvillimin e agroturizmit, si shprehje e mikpritjes unike dhe cilësore, që çdo vit hap dyert për më shumë turistë që vizitojnë vendin tonë.
Ministrja Denaj bëri të ditur në fjalën e saj se përmes kësaj strategjie do të zbatohet një qasje e bujqësisë gjithëpërfshirëse, me zinxhir vlere më të fortë, për të siguruar më shumë prodhim dhe më shumë të ardhura për komunitetet në zonat rurale, duke ruajtur biodiversitetin e territorit dhe fshatit shqiptar.
Së bashku do të vijojmë punën me një plan masash konkret, për rritjen e numrit të agroturizmave të certifikuar , u shpreh Denaj.
Gjithashtu theksoi ministrja Denaj, në bashkëpunim me institucionet e linjës jemi të angazhuar në adresimin e mbështetjes për agroturizmet në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e punësimit.
Me përfshirjen e më shumë të rinjve në sipërmarrje dhe angazhimin e më shumë fermave në afërsi të agroturizmit, ne synojmë ta çojmë edhe më përpara këtë sektor, u shpreh Denaj.
Nga ana e saj, ministrja Kumbaro u ndal në rëndësinë e Strategjisë Kombëtare të Agroturizmit që, siç tha ajo, na duhet për formalizimin e sektorit, qoftë për arsye sigurie që është pjesë e standardit.
Kumbaro ftoi pjesëmarrësit të japin kontributin e tyre në Strategjinë për Agroturimin.
Zhvillimi i agroturizmit në vendin tonë ka potenciale të larta dhe këtë e tregon numri i madh i subjekteve që kërkojnë të certifikohen me standardet e agbroturizmit, kjo falë edhe pozitës gjeogarfike të vendit me ¾ male e pyje, sepse turizmi nuk është vetëm bregdeti dhe nuk duhet të jetë vetëm ai, tha Kumbaro.