05
OctNë detyrim të informimit të publikut mbi sigurinë ushqimore në vend bëjmë me dije se Shqipëria nuk importon mish derri me Ractpaminë nga Brazili dhe nga asnjë vend tjetër!
Ligji nr. 10465 datë 29.9.2011 "Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në nenin 82 pika 2 nuk lejon përdorimin e PMV-ve hormonale, beta-agonistëve dhe tireostatikëve për shtim të masës muskulare dhe reduktim të dhjamit në kafshët që prodhojnë ushqim, por lejon përdorimin e tyre vetëm nëse janë të miratuara nga Komisioni Europian dhe vetëm për qëllime terapeutike, zooteknike dhe për kërkime.
Ractopamina është një produkt veterinar që i përket familjes së 'β-agonisteve' të cilat janë të ndaluara të përdoren në kafshët që prodhojnë ushqim në BE sipas Direktivës 96/22/EC, me disa përjashtime për qëllime terapeutike. Kjo direktivë është përafruar në legjislacionin tonë kombëtar dhe zbatohet që në vitin 2011 me Urdhërin e Ministrit të Bujqësisë nr.357 date 21.12.2011 "Për kushtet e tregtimit dhe përdorimit në kafshë të disa substancave me veprim hormonal ose tireostatik dhe të beta-agonistëve". Ractopaminë është një produkt mjekësor veterinar që nuk është e regjistruar në Rregulloren e Bashkimit Evropian Nr.37/2010 dhe që është përafruar në legjislacionin tonë kombëtar me Urdhërin e Ministrit të Bujqësisë Nr.15 datë 5.10.2010, i ndryshuar dhe zbatohet prej vitit 2010.
Si rrjedhim, kjo substancë nuk është rregjistruar asnjëherë në Shqipëri për përdorim në kafshët që prodhojnë ushqim dhe kafshët e shoqërimit dhe nuk është në Regjistrin Kombëtar të Produkteve Mjekësore Veterinare. Nga monitorimi 3-vjeçar (2022-2023-2024) nga strukturat e MBZHR, në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve nuk ka rezultuar mbetje të Ractopaminës në kafshët që prodhojnë ushqim si edhe në produktet me origjinë shtazore që rrjedhin prej tyre, kjo edhe për produktet e importit pasi Shqipëria prej 2 vitesh zbaton Planin e Monitorimit të Mbetjeve edhe për produktet e importit nga vendet e treta.
Theksojmë së Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve përgatitet bazuar në rregulloret evropiane dhe miratohet nga shërbimet e Komisionit Evropian. Për më tepër, Shqipëria auditohet në mënyrë të rregullt nga shërbimet e Komisionit Evropian për të monitoruar zbatimin e këtij Plani. Auditimi i fundit ka qënë në vitin 2022 ku është përmbyllur me një raport shumë pozitiv.
Përveç sa më lart, çdo ngarkesë me mish e importuar në Republikën e Shqipërisë i nënshtrohet kontrollit të dokumentacionit, identitetit dhe fizik nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Qeveria Shqiptare ka në fokusin kryesor të saj mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorit dhe forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore për të garantuar një mbrojtje më të lartë të konsumatorit si dhe hapjen e eksporteve të produkteve me origjinë shtazore në tregjet evropiane dhe më gjerë.
Për këtë qëllim duhet jo vetëm të transpozojmë legjislacionit evropian, por edhe ta zbatojmë atë në të njejtën mënyrë si vendet anëtare. Ky ishte edhe rekomandimi që na u dha në Takimin Bilateral. Në këtë mënyrë ne nuk do të mbyllim importin e mishit, dhe jo vetëm, por do ta bëjmë atë konform rregullave të reja që rrjedhin nga transpozimi i legjislacionit evropian në atë kombëtar.