Denaj prezanton p/buxhetin 2025: 15 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural - Portali i Fermerit

11

Nov

Denaj prezanton p/buxhetin 2025: 15 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj prezantoi ditën e sotme në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projekt-buxhetin 2025 për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.
"Në 10 vitet e fundit mbështetja e qeverisë dedikuar sektorit bujqësor ka bërë të mundur, të prekshëm dhe real zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit si dhe ruajtjen e dinamikës pozitive progresive të tij", tha ministrja Denaj duke theksuar se sektori bujqësor është padiskutim një prioritet i qeverisë, investimi në të cilin e ka kthyer një prioritet dhe oportunitet për fermerët dhe bujqit në mbarë vendin.
Gjatë prezantimit të buxhetit ministrja Denaj theksoi se këtë vit jemi fokusuar e do vijojmë të fokusohemi në bashkimin e fermereve, duke synuar nxitjen e investimeve në ekonomi shkalle, ulur kostot dhe rritur produktivitetin.
"Nevoja për mbështetjen e sektorit gjatë vitit të ardhshëm e në vijim është e domodoshme dhe investimet janë të fokusuara në produkte investimesh që ndihmojnë përmirësim të sigurisë ushqimore, si edhe në sisteme dhe infrastrukturë që kontribuon në terma më afatgjatë edhe për objektivat dhe vizionin tonë "Bujqësia 2030".
Përsa i përket buxhetit të propozuar për vitin 2025, Denaj nënvizoi se buxheti i propozuar arrin në 15 miliardë lekë, një rritje prej afro 4% në krahasim me buxhetin e vitit 2024. Me anë të këtij buxheti do të mundësohet financimi i politikave si Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, Siguria Ushqimore, Zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe ekonomisë blu dhe Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe institucionale, bashkëpunimi i aktorëve, inovacioni dhe digjitalizimi.
"4.4 miliardë lekë nga buxheti do të shkojnë për mbështetje direktë për fermerët" u shpreh ministrja Denaj teksa theksoi se bashkimi i operatorëve do të jetë sërish në fokus të skemës për vitin 2025.
Në fokus të buxhetit për vitin 2025 do të jenë edhe siguria ushqimore me 2.6 miliardë lekë, si dhe infrastruktura ujitje-kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet me një fond prej 2.9 miliardë lekësh.
Buxheti i pritshëm 2024, përfshirë Aktin Normativ të fundvitit me shtesat në skemat e fermerëve, parashikohet 12% më i lartë krahasuar me buxhetin faktik 2023. Investimet e brendshme në objekte në 2024 janë rritur me mbi 10%.
"Me Aktin Normativ të fundvitit, buxheti Bujqësisë për skemat e mbështetjes pritet të jetë 52 milion euro dhe në 2025 projektohet minimalisht 55 milion euro" theksoi ministrja Denaj.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres Denaj:

I nderuar kryetar, të nderuar anëtarë!

Zhvillimi ekonomik në sektorin e bujqësisë është tashmë një fakt dhe trend i pakthyeshëm.
Në 10 vitet e fundit mbështetja e qeverisë dedikuar sektorit bujqësor ka bërë të mundur, të prekshëm dhe real zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit, si dhe ruajtjen e dinamikës pozitive progresive të tij.
Sektori bujqësor është padiskutim një prioritet i qeverisë, investimi në të cilin e ka kthyer një prioritet dhe oportunitet për fermerët dhe bujqit në mbarë vendin duke garantuar punësim, ekonomi shkalle, mirëqenie sociale dhe zgjerim të aktivitetit bujqësor.

Më lejoni të përmend disa prej objektivave të arritur dhe atyre që jemi të fokusuar të arrijmë gjatë periudhës në vijim:

1. Sipërfaqja e serrave për prodhimin e perimeve është rritur nga 1,243 ha në vitin 2015, në 2,116 ha në vitin 2023 ose 70% më shumë;

2. Referuar INSTAT, Eksportet për grupin e mallrave "ushqim, pije, duhan" në vitin 2015 ishin 21.1 miliard lekë, ndërsa në vitin 2023 ishin 55,7 miliard lekë, ose 2,6 herë më shumë.
Ndërsa raporti eksport/import është përmirësuar për këto katogori mallrash, konkretisht nga 1:4,6 në 1:2,6.

3. Sipërfaqja ujitëse e rehabilituar nga 135 mijë ha në 2015, ka arritur në rreth 265 mijë ha ose është dyfishuar (duke përfaqësuar rreth 75% të sipërfaqes potencialisht të ujitshme për tokat bujqësore).

Përgjatë vitit 2024, të dhënat paraprake dhe parashikimi i prodhimit dhe eksporteve është po ashtu pozitiv në raport me sasitë e këtyre të fundit, dhe po i përgjigjet nevojave në rritje për produkte ushqimore me cilësi dhe siguri. Kjo edhe për shkak të kërkesës edhe më të rritur të produkteve shqiptare, të cilat jo vetëm sot ndodhen në 80 tregje elitare, por njëkohësisht edhe presioni për prodhime cilësore nga turizmi, është sot një fakt që ndodh në të gjithë vendin.

Një efekt pozitiv kanë dhënë në këtë aspekt investimet e realizuara me buxhetin e këtij viti dhe Skema e Mbështetjes Kombëtare, e cila ka një proces ende të pakonkluduar dhe jemi shumë optimist që deri në fund të vitit të 65 mijë fermerët, të cilët janë aplikantë të kualifikuar të përfitojnë të plotë skemën mbështetëse të subvencioneve.
Sigurisht, sfida e sektorit mbetet formalizimi i plotë i ekonomisë, i cili ka pasur dhe ka disa faza. Duke filluar nga faza e faktit që numri i fermerëve ka ardhur në rritje. Dua të përmend faktin që 4000 fermerë përpara 10 vjetësh, sot kemi 97,000 fermerë të regjistruar me NIPT fermeri. E megjithatë, kjo nuk është sfida kryesore e formalizimit të ekonomisë pasi mendojmë që struktura e fermës, madhësia e fermës dhe transaksionet juridike që ndodhen në fermë dhe me gjithë aktorët, janë sfidat kryesore të zinxhirit ekonomik, të cilat do të mundësojnë ekonomi shkalle, subvencione të adresuara për të nxitur ekonominë e shkallës, mekanizimin, për të ulur koston dhe rritur produktivitetin.
Kemi probleme në këtë zinxhir ekonomik dhe fiskal për të realizuar atë që quhet "zinxhir vlere". E kështu të kemi mundësi që nëpërmjet formalizimit të ekonomisë bujqësore në zinxhirin e vlerës, sfida të cilat jemi duke i konsultuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në veçanti, këtu dua të përmend përvojën që kemi përgjatë këtij viti me FAO-n, e cila është duke punuar intensivisht për atë që quhet "contract farming"- me fjalët të tjera marrëdhënien e të gjithë aktorëve në zinxhirin e vlerës në një kontratë juridikisht të njohur, të na mundësoj se si Skemat Kombëtare të shkojnë edhe më shumë në formalizim të ekonomisë bujqësore dhe jo thjesht në rritje të regjistruar të fermerëve.

Mekanizimi i ekonomisë bujqësore është po ashtu një sfidë, një nevojë emergjente. Kjo jo vetëm për t'ju përgjigjur kërkesave në rritje që ka edhe objektivi ynë për të arritur mesataren e BE-së, si një proces, i cili është nisur dhe nuk ka kthim mbrapa, por mbi të gjitha për të kompensuar fuqinë punëtore, për të ulur kostot dhe për të dalë në treg në kohën më optimale të mundshme.
Kjo është edhe arsyeja pse këtë vit me aktin më të fundit normativ, atë të gushtit të këtij viti ne i kërkuam qeverisë shqiptare dhe u mundësua një fond, i cili përshkallëzohet me fonde buxhetore dhe përqark vitit 2025 me një total prej 15 mld eurosh, por vetëm pjesa e këtij viti ishte diku tek 5 mln euro. Skema Kombëtare e Investimeve, e cila fokusin e kishte tek zinxhiri i prodhimit, pra në ndërtim të stallave dhe serrave, por në veçanti edhe në mekanikë bujqësore.
Kanë mbaruar aplikimet, se data 8 nëntor ishte ditë e premte. Janë gati 401 aplikime të ardhura pranë AZHBR-së. Nga përllogaritjet tona mendojmë, që do ezaurohet i gjithë fondi i 5 mln që i korenspodon 30% të fondit që do të disbursohet këtë vit me lidhjen e kontratës, duke shpresuar që të gjithë ata aplikantë i kanë dorëzuar dokumentet në rregull dhe përfitojnë qysh këtë vit 30% të pjesës së grantit që synon kjo skemë.
Të nderuar kolegë deputetë,
Jemi në një moment me rëndësi të veçantë të zhvillimit të politikave bujqësore drejt integrimit evropian, i cili në fakt nuk është vetëm një përafrim legjislativ në 3 kapituj shumë të rëndësishëm. E këtu kam kolegë, të cilët janë të angazhuar totalisht për të tre kapitujt 11,12 dhe 13. Konkretisht, zhvillimi rural 11, siguria ushqimore 12 dhe zhvillimi i produkteve peshkore 13, por njëkohësisht është shumë e rëndëshishme sesi ky proces integrimi të përkthehet për bizneset në atë që është nevojë për ndryshimet përgjatë 3-5 viteve të ardhshme dhe mbështetja që do t'i duhet fermerëve edhe me instrumente të tjera financiare dhe buxhetore.
Integrimi evropian merr një rëndësi si për buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në afatmesëm, për të shkëputur edhe nga Skema e Subvencioneve si i vetmi element që diskutojmë për buxhetin. Ne do ta shikojmë sot dhe shpresojmë edhe me pyetjet tuaja të jemi shterues që Skema e Subvencioneve zë një peshë shumë të rëndësishme, ajo e direkteve, por ne kemi investime të qënësishme në infrastrukturë, por mbi të gjitha ne duhet të kemi instrumenta dhe mbështeje buxhetore për të ndihmuar sipërmarrjen në transformimin në momentin që këto ligje të BE-së bëhen detyruese për t'u zbatuar, sidomos në atë që është Kapitulli 12 i sigurisë ushqimore.
Kemi shumë detyra për të bërë edhe nga raporti më i fundit. Ne do të sjellim shumë shpejt në këtë komision disa ligje të rëndësishme për shëndetin e bimëve dhe të kafshëve dhe kemi shtyrë për vitin tjetër atë të kontrolleve zyrtare, si rezultat i një ndërhyrje ligjore që erdhi si rezultat i ligjit të inspektimit, i cili është bërë efektualisht i detyrueshëm për t'u zbatuar nga ne dhe menjëherë do të pasohet edhe nga ligji i kontrolleve zyrtare. Të gjitha këto do t'i kërkojnë bizneseve të jenë shumë më të vëmendshëm dhe buxhetit të shtetit dhe ne si ministri për të mbështetur me skemat e duhura edhe këtë transformim, përafrimi ligjor për të cilin ministria po punon në mënyrë të qënësishme për atë që është "Bujqësia 2030".
Brenda këtij objektivi të "Bujqësisë 2030" do të përmend në shifra disa angazhime që ka marrë minisria:
Konkretisht:
• Rehabilitimi 100% të sipërfaqes së ujitëshme prej 360 mijë ha;
• 1 miliard USD eksporte bujqësore, të dominuar nga perimet, frutat, bimët mjekësore dhe aromatike, peshku/akuakultura si dhe produktet e përpunuara në vend;
• Nxitje të investimeve në industrinë e Agropërpunimit dhe Qendrat e Tregtimit.
• Nivel më i lartë i sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe bimëve përmes masave koherente, detyrim edhe si rezultat i ligjeve që përmenda pak më lartë;
• Garantimi i gjurmueshmërisë së plotë të produkteve ushqimore gjatë të gjithë zinxhirit ushqimor, nga ferma në tavolinë, duke forcuar sistemet e digjitalizuara të informacionit.

• Së fundi, një sektor bujqësor i modernizuar dhe mekanizuar në frymë të rritjes së rendimentit dhe uljes se kostove të prodhimit.

Për vitin 2024 parashikohet të jetë 12% më i lartë krahasuar me buxhetin faktik të 2023, ku pjesën më të madhe e kanë investimet e brendshme.
Akti Normativ i fundit të vitit shpresoj që të na e mundësojë të plotë skemën e subvencioneve, e cila përllogaritet në 52 milion euro. Ashtu si në 2023 me Aktin Normativ të tetorit, Ne na u mundësua një dhënie e fondit me 18 milion euro dhe plotësuam të gjithë nevojën për 50 milion euro për 2023.
Jemi besimplotë, që edhe këtë vit shuma prej 52 milion euro, e cila është shuma e subvencioneve të drejtëpërdrejta do të plotësohet nga qeveria me Aktin Normativ në fund të vitit. Procedurialisht ne e kemi ndërtuar skemën të tillë që të mos ketë nevojë për procedurë dhe letra të tjera, sikurse i gjithë fondi që i takon çdo fermeri shkon në llogarinë që ka hapur në fillim të këtij viti.
Përsa i përket buxhetit të vitit 2025, kemi një parashikim me total 15 miliardë lekë ose 4% më i lartë se viti 2024. Ku shkon dhe si shpërndahet ky fond?

o Shpenzime për Fond Pagash 8.5% (shtesa e rritjes së pagave)
o Shpenzime Operative 21% (shtesë në skemat e mbështetjes për fermerët)
o Investime të Brendshme 6% ( kryesisht niveli i bashkëfinancimit të projekteve)
o Investime të Huaja -34%.

Nëpërmjet këtij buxheti do të mundësojmë financimin e politikave si:
- Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë
- Siguria Ushqimore

Janë 7 programeve buxhetor, si vijon:
1. Zhvillimi Rural ka në dispozicion 7.3 miliard të buxhetit fillestar në 2025, ndër të cilat 4.4 miliard përbëjnë mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët.
Këtu parashikohen të përfshihen:
• Pagesat direkte si në blegtori apo edhe në fusha të tjera,
• Skema e naftës falas për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi
• Skema e investimeve prioritare ne ferma, e filluar që këtë vit por shtrihet edhe në vitin në vijim.
Në vitin që vjen, kemi nevojë të shqyrtojmë disa elemente të Skemës Kombëtare për të rritur efektivitetin e saj dhe për të bërë hapa përpara në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
Ne kemi nisur punën për Skemën Kombëtare dhe kemi pasur disa diskutime mbi efektivitetin e saj. Dëshiroj të theksoj vetëm dy shifra që mund të diskutojmë gjatë ditës së sotme, përfshirë edhe skemën e naftës, që ka një vlerë prej 50-52 milionë euro, e cila mbështet kryesisht blegtorinë. Kjo është një skemë që ka arritur një produktivitet të konsiderueshëm, por ne duhet të mendojmë sesi ta bëjmë më efektive dhe si të rrisim vlerën e saj, duke përmirësuar mbështetje për fermerët dhe blegtorët.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është që të kalojmë në elementë të rinj të Skemës Kombëtare që të na afrojnë më shumë me standardet e BE-së.
Kemi diskutuar për një kohë të gjatë edhe për faktin se pse Skema Kombëtare nuk parashikon mbështetje për litrat, dhe jam e bindur që ky do të jetë një diskutim i hapur sot. Siç e tha edhe Zoti Tarelli, që ka njohuri të afërta për këtë çështje, nëse do të shkojmë në këtë drejtim, mund të jemi në kundërshtim me direktivat e BE-së.
Në çdo rast, qëllimi ynë është të përmirësojmë Skemën Kombëtare duke marrë parasysh sugjerimet dhe propozimet tuaja, kolegë deputetë, por gjithashtu duhet t'i diskutojmë këto ndryshime në frymën e direktivave të BE-së.
Nëse duam të arrijmë afërsinë me BE-në brenda 5 viteve, nuk mund të humbim mundësinë për të marrë fonde të rëndësishme që ata mund të na ofrojnë përmes një skeme që është më afër realitetit të tyre dhe mundësive që ofron sektori bujqësor në Shqipëri.
Një tjetër element që duhet diskutuar është aksesimi i financave. Me keqardhje, mund të them se, përkundër njohurive të mia në këtë sektor, nuk kemi parë rritje të portofolit të kredive për bujqësinë.
Disa sektorë të tjerë kanë patur rritje të treguesve të kredive, ndërsa në bujqësi ajo ka mbetur në nivele të ulëta, rreth 4-5%. Kjo ka bërë që të rriten kërkesat për financime të mbështetura nga skemat tona kombëtare, duke përfshirë bankat dhe mundësitë për të mbuluar kolaterale dhe dokumentacionin.
Për të mbështetur bujqësinë dhe fermerët, qeveria ka angazhuar dy skema garancie që ndihmojnë në financimin e bujqësisë. Njëra është skema e garancisë e BERZH-it, me një fond prej 180 milionë euro, dhe tjetra është skema e Bankës Gjermane KFË për bizneset e vogla dhe të mesme. Po ashtu, jemi duke menduar për një skemë të re mbështetjeje që do të fokusohet në garanci sovrane për financimin e bizneseve për 5 vitet e ardhshme, duke u konsultuar me bankat dhe ekspertët e sistemit financiar.
Një tjetër pikë shumë e rëndësishme është siguria ushqimore. Në buxhetin e vitit 2025, kemi parashikuar një fond prej 2.6 milionë lekësh për sigurinë ushqimore, që është një ulje prej 4.5% krahasuar me buxhetin e vitit 2024. Kjo ulje vjen për shkak të investimeve të huaja, duke përfshirë projektin për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes së tërbimit. Siguria ushqimore është një prioritet dhe ne jemi të angazhuar të vazhdojmë mbështetje për projektet që financohen nga BE dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.
Një projekt tjetër që ka rëndësi të veçantë është mbrojtja nga përmbytjet, ku ne kemi planifikuar rehabilitimin dhe ndërtimin e rreth 10 km argjinatura për mbrojtjen nga përmbytjet, duke përfshirë disa hidrovore të rëndësishme për përmirësimin e kullimit të tokave bujqësore dhe zonave të banuara. Këto projekte do të përmirësojnë qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe do të ndihmojnë në mbrojtjen nga pasojat e ndryshimeve klimatike.
Përsa i përket infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, kemi parashikuar një buxhet prej 2.9 miliardë lekësh për vitin 2025, që është një rritje prej 13% krahasuar me vitin e kaluar. Ky buxhet do të përdoret për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe përfundimin e rehabilitimit të disa projekteve në rreth 16,000 hektarë tokë bujqësore.
Në fund, dua të theksoj rëndësinë e sistemit të informacionit dhe përdorimit të teknologjive të reja për përmirësimin e menaxhimit të informacionit në sektorin bujqësor. Kemi pasur një përparim të madh në implementimin e sistemit RUDA dhe jemi duke punuar për të përmirësuar proceset e regjistrimit të fermave dhe kafshëve, si dhe monitorimin e sigurisë ushqimore dhe kontrolleve të tjera.
Kjo është një sfidë e madhe, por është e domosdoshme për të siguruar një sektor bujqësor të qëndrueshëm dhe të integruar më mirë në ekonominë e BE-së.
Në përfundim, duhet të theksoj se gjithçka që bëjmë duhet të jetë në përputhje me standardet e BE-së dhe të ofrojë mundësi për rritjen e efikasitetit dhe produktivitetit të sektorit bujqësor, si dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës për fermerët dhe blegtorët shqiptarë.

Faleminderit!

Kategori