Njoftim publik - Konfirmimi i Murtajës Afrikane të Derrave - Portali i Fermerit

26

Nov

Njoftim publik - Konfirmimi i Murtajës Afrikane të Derrave


Në kuadër të transparencës publike, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se kampionet e dërguara nga kadavra të derrave të egër dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal të Qarkut Lezhë, në Laboratorin e Referencës - Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sot në datën 26.11.2024, kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT - PCR, për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave.

Në vijim të rastit Alert, Minstria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë menjëherë masat për hyrjen në fuqi të Urdhrit të Ministrit Nr. 1036, datë 26.11.2024 "Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave" dhe ngritjen e Qëndrës Kombëtare të Krizës, në zbatim të Urdhrit Nr. 1034, datë 26.11.2024. Në zbatim të Planit të Kontigjencës Nr. 10390/1 Prot., datë 24.11.2020 " Për sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave", i ndyshuar me Urdhrin nr. 1035, datë 26.11.2024, ka nisur marrja e masave nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për:
1. Përcaktimin e zonës mbrojtëse me rreze 3 kilometër dhe zona e mbikqyrjes me rreze 10 kilometër rreth Fshatit Mali i Rencit, Njësia Administrative Shëngjin, në koordinatat me gjatësi 41.82835 dhe gjërësi 19.57711, në të cilën janë konstatuar derrat e ngordhur, të konfirmuar për praninë e Murtajës Afrikane të Derrave, me testin e RT - PCR.
2. Regjistrimin e pronarëve të derrave dhe regjistrimin e përgjithshëm të popullatës së derrave në zonat 3 dhe 10 kilometër rreth fshatit Mali i Rencit, Njësia Administrative Shëngjin.
3. Mbarështimin e të gjithë derrave dhe mbajtjen e ushqimit të tyre në zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, në mjedise të mbyllura.
4. Ekzaminimim e përditshëm klinik i derrave në këto zona dhe të gjitha fermave industriale të derrave dhe rezultatet duhet të mbahen në protokolle.
5. Ndalimin e lëvizjes për çdo derr të gjallë, mishit të freskët të derrave dhe produkteve të mishit të derrave që vijnë nga zonat mbrojtëse dhe të mbikqyrura.
6. Marrjen e kampioneve për testime laboratorike për Murtajën Afrikane të Derrave nga të gjithë derrat shtëpiakë dhe të egër që zbulohen të ngordhur, në këto dy zona.
7. Identifikimin e fermave industriale të derrave, në zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes dhe zbatimin nga fermerët të masave të biosigurisë në fermat e derrave.
8. Ndalimin e tregut të derrave në zonat perimetrale 3 dhe 10 kilometër, rreth Fshatit Mali i Rencit, Njësia Administrative Shëngjin.
9. Dezinfektimin e mjeteve që hyjnë ose dalin në zonat mbrojtëse dhe të mbikëqyrjes, vendosjen e sinjalistikës e posterave informues në hyrjet e fermave të prekura dhe qendrat e komunave.

I bëjmë thirrje pronarëve të kafshëve të zbatojnë masat karantinore dhe të biosigusisë, veterinerëve privatë, teknikëve veterinarë, drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, punonjësve e shërbimit pyjor dhe gjuetarëve, që në rast dyshimi apo prani të shenjave klinike në derra të informojnë menjëherë Shërbimin Veterinar Rajonal pa vonesë në numrin e gjelbër 08003366 ose në rrugë zyrtare në adresën e e-mailit [email protected].

Njoftojmë qytetarët se Murtaja Afrikane e Derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, mirëpo ajo përbën një rëndësi të madhe për ekonominë dhe shëndetin e popullatës së derrit, në vendin tonë.

Kategori