INFORMACION PËR PUBLIKUN - Portali i Fermerit

26

Nov

INFORMACION PËR PUBLIKUN


Në vijim të komunikimit publik për garantimin e sigurisë ushqimore në vend dhe informimin e konsumatorit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën me dije se institucionet përgjegjëse për kontrollet zyrtare të produkteve ushqimore, nga ferma ne tavolinë, në zbatim të kërkesave ligjore ushtrojnë kompetencat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka një inspektor veterinar për cdo thertore, i cili është përgjegjës për kontrollin e dokumentacionit shoqërues të kafshëve dhe kontrollin klinik të tyre para dhe pas therjes. Veterineri Zyrtar i Kontrollit në thertore siguron kontrollin e mishit përpara vulosjes dhe lëshimit të certifikatës për të, sipas gjetjeve në thertore, në zbatim të Udhëzimit të Ministrit Nr. 17, datë 24.9.2021 për "Kërkesat specifike të mishit, duke përfshirë produktet e mishit, mishin e grirë dhe mishin e ndarë në mënyrë mekanike".

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të intensifikimit të kontrolleve zyrtare me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, ka kryer inspektim në Operatorët e Biznesit Ushqimor, ndërmjet të cilëve dhe ato me veprimtari specifike "Thertore - mish i kuq dhe stabilimente përpunimi mishi".

Për garantimin e mbrojtjes së konsumatorit në rastet kur gjatë kontrollit zyrtar konstatohen mangësi në sistemin e vetëkontrollit HACCP dhe sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve, merren masa administrative dhe urdhërohet ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit deri në plotësimin e mangësive të konstatuara. Në lidhje me mangësitë e konstatuara në subjektet me aktivitet specifik Thertore ose stabilimente të përpunimit të mishit, për produktet mish dhe produkt i gatshëm, në zbatim të Nenit 69, Ligji 9863 datë 28.1.2008 "Për ushqimin", i ndryshuar, kryhet bllokimi i sasisë gjëndje në momentin e inspektimit dhe lihet detyrë Operatorit të Biznesit Ushqimor kryerja e procedurës së asgjësimit konform kërkesave ligjore. Në zbatim të kërkesave ligjore, Operatorët e Biznesit Ushqimor kanë të drejtën e ankimit të veçantë lidhur me masat urgjente të marra nga trupa inspektuese, për të cilat rikryhet inspektim, me qëllim verifikimin e përmbushjes së kërkesave ligjore. Në rastet kur Operatorët e Bisnesit Ushqimore me drejtim specifik "Thertore - mish i kuq dhe stabilimente përpunimi mishi" plotësojnë kërkesat e konstatuara, AKU lejon vijimin e ushtrimit të aktiviteteve për veprimtaritë sipas licensimit përkatës.

I bëjmë thirrje cdo konsumatori se në rast të identifikimit të cështjeve që i përkasin sigurisë ushqimore, të njoftojnë menjëherë në numrin e gjelbër të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit 08007575, ose në adresën zyrtare: [email protected]

Kategori