Informacion për publikun - Portali i Fermerit

05

Jan

Informacion për publikun


Në kuadër të transparencës për publikun, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se menjëherë pas njoftimit për shpendë të egër të ngordhur në zonën e Plazhit të Vjetër të Vlorës, ditën e djeshme, Shërbimi Veterinar i Qarkut Vlorë ka marrë masat për kontrollin dhe monitorimin e situatës.
Nga 20 shpendë të egër, karakasat e të cilëve ishin të dëmtuara e të putrifikuara, është arritur të merret një kampion, i cili është dërguar pa vonesë në ISUV dhe pas analizimit me metodën konfermatore RT-PCR, pasditen e sotme, datë 5.01.2025 ka rezultuar pozitiv me Influencë Aviare të nëntipit H5N1.

Në pritje të rezultatit janë ngritur 7 grupe pune në terren për monitorimin e situatës dhe gjurmimin kryesisht të zonave lagunore dhe ujore të: Lagunës së Nartës; Lagunës së Novoselës; Plazhit të Vjetër; Orikumit; Lagunës së Butrintit; Lagunës së Karavastasë; Semanit. Sipas grupit të Shërbimit Veterinar që është në terren, shpendët e fermave dhe komplekseve industriale nuk janë konstatuar dëme dhe as dyshime për përhapjen e infeksionit. Është njoftuar Agjencia Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për komunikim të hershëm të rasteve të dyshuara midis institucioneve.

Është njoftuar menjëherë të mblidhet nesër, në fillim të ditës Qëndra Kombëtare e Krizës, ku përvec anëtarëve të Ministrisë dhe Institucioneve të varësisë, do të jenë pjesëmarrës dhe punonjës të Institutit të Shëndetit Publik, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. I bëjmë thirrje fermerëve të rrisin vigjilencën, zbatimin e masave të biosigurisë dhe ato veterinaro - sanitare për të ulur riskun e përparimit të infeksionit në shpendët e mbarështimit. Për çdo rast të dyshimtë, mos prekni dhe manipuloni me shpendë të sëmurë, por raportoni në numrin e gjelbër 08003366

Kategori