Ministrja Denaj në Kavajë: MBZHR, bashkëpunim me fermerët për të rritur kapacitetet prodhuese dhe eksportet - Portali i Fermerit

17

Jan

Ministrja Denaj në Kavajë: MBZHR, bashkëpunim me fermerët për të rritur kapacitetet prodhuese dhe eksportet


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, u bëri thirrje fermerëve që të bashkohen për të garantuar sasinë e prodhimit dhe cilësinë e produkteve, që janë të domosdoshme për tregun vendas dhe të huaj.

Në takimin që zhvilloi sot me fermerët në Kavajë, bashkë me Drejtuesin Politik të PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetin e PS-së, Etjen Xhafaj. Ministrja Denaj u ndal tek rritja e prodhimit bujqësor vendas, për t'ju përgjigjur sa më mirë kërkesës konsumatore, por dhe fluksit të shtuar të turistëve që vitet e fundit kanë shënuar shifra rekord në vendin tonë.
"Për një qytet të bukur siç është bërë Tirana, me gjithë ata turistë që vijnë, me një qytet kaq të bukur siç po bëhet Durrësi, me gjithë ata turistë që po vijnë dhe do të vijnë, presioni që shkon tek bujqësia, tek të gjithë ne si në politikbërje, por dhe ju që prodhoni çdo ditë në fusha, është si të plotësojmë kënaqësinë konsumatore të podhimit të brendshëm, pasi prodhimi shqiptar është jo vetëm i mirë, por sot po vlerësohet dhe në aspektin e kulinarisë dhe turistik. Ka shumë turistë që po vijnë dhe për ushqimin", tha Denaj.

Ministrja vuri në dukjes se, sot ka shumë turistë që vijnë dhe vetëm për ushqimin, përveç bukurive natyrore dhe infrastrukturën e qyteteve që po përmirësohet kaq shumë çdo ditë.
Denaj u ndal në sfidat për zhvillimin e bujqësisë dhe angazhimin e qeverisë për më shumë investime në mbështetje të fermerëve dhe prodhimit vendas.

"Në 10 vite qeverisje janë rehabilituar argjinatura gati 100 km, janë rehabilituar rezervuare, janë rehabilituar gjithë infrastruktura e ujitje-kullimit, me një vlerë totale gati 259 mln Euro dhe do të vazhdojmë në 2-3 vitet e ardhshme me të tjera 200 mln Euro në infrastrukturë", u shpreh ministrja.

Denaj theksoi prioritet bashkëpunimin me fermerët e zonës për të rritur kapacitetet prodhuese dhe certifikimin e prodhimit.
"Sot jo vetë turistë vendas dhe të huaj kërkojnë produkte më cilësore sepse është një kërkesë e kohës. Ne i kemi të gjitha mundësitë që t'i prodhojmë produktet tona. Nga ana tjetër për t'i certifikuar produktet tona dhe për t'i çuar në tregjet elitare, ne nuk mund të shkojmë në investime shumë të vogla ndaj kërkohet bashkimi i operatorëve", deklaroi Denaj.
Duke marrë fjalën, Veliaj theksoi rolin e bujqësisë në zhvillimin vendit.
"Unë s'po them që çdo gjë është perfekt, por që janë përmirësuar gjërat në mënyrë të jashtëzakonshme. Ashtu si vendet më të mëdha të botës e kanë themeluar atdheun e tyre tek bujqësia te nevoja për të mbajtur me bukë racën e tyre, kombin e tyre, popullin e tyre, unë besoj se kjo vlen edhe për ne", tha ai.

Sipas tij, me një Shqipëri që trefishohet në sezon turistik kjo nevojë nuk është për bukë vetëm për ne, por është për të mbajtur dhe të tjerët që do të vijnë edhe që do shtohen.
"Në fillim fare kur i kemi bërë këto biseda, mbaj mend në 2013-ën, kur unë shkoja te Dhimua atje, shikoja ato tokat në Xarrë, me të drejtë vlente shprehja e tij që thoshte - "Hë mo se ky nuk është ndonjë biznes miliardash". Në fakt, sot, është biznes miliardash. Sot është 1 miliard ajo që prodhohet nga bujqësia, 1 miliard Euro flasim, dollarë, ajo që prodhohet nga bujqësia për konsum të brendshëm dhe gjysmë miliard ajo që eksporton. Kështu që kur e mendon sot në fakt nuk është biznes i pa konsiderueshëm. Në qoftë se më përpara le të themi vlente batuta se ishin këto rripat e vegjël, kur shikon vlerën monetare që po përfshihet në këtë sipërmarrje është e jashtëzakonshme dhe ka sot. Nëse më parë ishte me një shifër në produktin tonë të brendshëm, sot është me dy shifra dhe do të vazhdojë të rritet. Sidomos nëse do të vazhdojmë projektet e turizmit dhe ajo që kryeministri ka shpallur 2030-ën që ne të shkojmë nga 10 milionë në 20 milionë, do të thotë që në 4-5 vitet e ardhshme do të rritemi me 20-30% e turizmit çdo vit", u shpreh Veliaj.
Deputeti e i PS, Etjen Xhafaj, u ndal në epërsinë që ka shënuar turizmi në ekonominë e vendit.
"Ne kemi një vit jashtëzakonisht të suksesshëm turizmi vitin 2023, i cili ishte një vit i cili ishte sukses edhe falë punë suaj, përpjekjeve, lodhjes suaj dhe sigurisht falë dhe atij prodhimi që e ka bërë Shqipërinë një nga produktet më të mira turistike në rajon, por dhe në gjithë Evropën", tha ai.

Kategori