Deklaratë për Media - Portali i Fermerit

27

Jun

Deklaratë për Media


Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prezanton një panoramë të detajuar të performancës së sektorëve kryesorë bujqësorë për vitin 2024, dhe parashikimet e vitit 2025, duke reflektuar jo vetëm sfidat strukturore, por edhe rezultatet konkrete të reformave dhe politikave të ndërmarra.

Bujqësia 2024 - Rritje e qëndrueshme në prodhimin bimor
Prodhimi total i drithërave arriti në 649,919 ton, duke mbuluar një sipërfaqe prej 126,132 ha.
U shënua rritje e sipërfaqes dhe prodhimit të misrit, duke arritur në mbi 410 mijë ton, me performancë të lartë në qarqet Korçë, Tiranë, Fier dhe Lezhë.
Elbi shënoi një rritje prej 19.8% në sipërfaqe dhe 12.3% në prodhim, si pasojë e orientimit të fermerëve drejt nevojave të blegtorisë.
Gruri ka pësuar një rënie, e lidhur drejtpërdrejt me çmimin e lartë të inputeve dhe dinamikën e tregut.
Perimet regjistruan një prodhim rekord prej 1.42 milion ton, me rritje 2.9%.
Prodhimi në sera shënoi rritje me 4%, duke përfaqësuar 22.7% të totalit, tregues i një orientimi të qëndrueshëm drejt teknologjive të avancuara.
Patatja, fasulet, bimët medicinale dhe luleshtrydhet shënuan të gjitha rritje, si rezultat i politikave mbështetëse të mbjelljes dhe promovimit të diversifikimit.
Pemët frutore arritën në 290,532 ton, me një rritje të qëndrueshme 3.1%, falë ndërhyrjeve agroteknike dhe masave të mbrojtjes fitosanitare.
Rrushi nga vreshtat dhe pjergullat regjistroi rritje me 2.1%, ndërsa agrume dhe ulliri regjistruan rritje përkatësisht 4.3% dhe 24.6%, një sukses i politikave për rigjallërimin e plantacioneve dhe menaxhimin teknik të prodhimit.

Blegtoria-rezultate në nënsektorë strategjikë

Prodhimi i mjaltit shënoi rritje 5.4%, duke arritur në 5,940 ton, falë mbështetjes sistematike dhe rritjes me 13.2% të numrit të koshereve.
Prodhimi i qumështit pësoi një rënie me 2.7%, si rezultat i uljes së numrit të krerëve në fermat familjare, ndërkohë që lopët përbëjnë 84.9% të qumështit të prodhuar.
Edhe mishi regjistroi një rënie prej 3.8%, si pasojë e rënies së numrit të gjedhëve, deleve dhe dhive, duke reflektuar sfidën e popullsisë rurale dhe kostove të larta të ushqimit blegtoral.
Vihet re një konsolidim gradual i fermave, ku prodhimi po përqendrohet më tepër tek njësitë më të mëdha dhe më të strukturuara. Në këtë kontekst, rënia ka ardhur kryesisht nga fermat e vogla familjare me kapacitet të ulët, të cilat për arsye ekonomike apo sociale kanë reduktuar ose ndërprerë aktivitetin e tyre. Në të njëjtën kohë, ka vazhduar konsolidimi i fermave me rendiment më të lartë dhe prodhimi po përqendrohet në njësi më të strukturuara dhe më të efiçente.
Vezët kanë pësuar një rënie të lehtë prej -0.7%, ndërsa sektori i shpendarisë mbetet në monitorim për të garantuar stabilitet në furnizim dhe prodhim(efekte dhe te influences aviare).
Peshkimi- Akuakultura, e ardhmja e qëndrueshme

Prodhimi total nga të gjitha burimet ujore arriti në 16,452 tonë.
Molusqet shënuan rritje me +14.5%, ndërsa akuakultura ruajti peshën kryesore me 43.6% të prodhimit total.
Zhvillimi i akuakulturës mbetet prioritet strategjik, i lidhur me kontrollin e cilësisë, qëndrueshmërinë dhe eksportin.
Viti 2024 regjistroi edhe një shtim të flotës peshkare në 833 mjete aktive, një sinjal i pozitiv për rigjallërimin e sektorit, me fokus në zonën detare të Jugut.
Rezultatet më sipër tregojnë qartë se sektori i bujqësisë shqiptare është në transformim të qëndrueshëm - me investime të vazhdueshme në teknologji, përmirësim të standardeve dhe orientim drejt tregjeve eksportuese.
Kështu në bazë të të dhënave pritshmëritë për 2025 treguesit kryesorë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral në përgjithësi do të vijojnë të jenë të qëndrueshëm, ku parashikikohet të ruhen nivelet e prodhimi në perime, fasule dhe vreshta, rritje të prodhimit në kulturën e ullirit me rreth 8.3% dhe agrumet me rreth 1.9%.
Gjithashtu në qumësht dhe mish peshë e gjallë pritet të ruhet qëndrueshmëria e prodhimit, për shkak se ulja e numrit të krerëve vërehet në fermat e vogla, ndërkohë që fermat e mëdha realizojnë rendimente të mira.
Treguesit e eksportit për periudhën e 5-mujorit të parë që vijojnë trendin pozitiv-tregojnë stabilitet në sektor.
Në këtë trend kanë ndikuar dhe masat e mara nga MBZHR si:
-Skema e mbështetjes direkte dhe skema e naftës falas për punimet e mekanizuara
-Rreth 70 mijë fermerë përfitues;
-Në skemën kombëtare të investimeve të vitit 2024-2025, me buxhet 15 mln euro, janë lidhur 266 kontrata me një grant të kërkuar prej 8,5 mln euro.
-Për vitin 2025-2026, është miratuar me Akt Normativ një buxhet shtesë prej 20 mln euro për skemën e re të investimeve, e cila do të mbështesë 9 Masa investimesh duke nisur nga shtimi i sipërfaqeve të mbjella, ndërtimin e stallave dhe stabilimenteve të rinj, agropërpunim, agroturizëm dhe akuakulturë.
-Prej muajit Janar të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka miratuar një linjë kreditimi prej 250 milionë euro kredi të butë, e cila e kombinuar me Garancinë Sovrane për bujqësinë, ëe miratuar me akt normativ, prej 30 mln euro, dhe mbulim kolaterali 70%, e zbret normën e interesit nga 3,5% në 2%.
-Po përgatitet kuadri ligjor për sigurimet në bujqësi- mbështetje nga shteti në primin e sigurimit për fermerët.
-Vijojnë investimet publike në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit të tokave bujqësore.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë me politikën e saj të qartë: të mbështesë fermerin, të përforcojë zinxhirët e vlerës dhe të garantojë sigurinë ushqimore dhe konkurrueshmërinë e prodhimeve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Objektivi është që në vitin 2030 të arrijmë në 1 miliard euro eksporte.

Kategori