Denaj në Kuvend: 540 investime të reja në bujqësi nga fondet e IPARD, kontribut që nuk e zhbën përdorimi negativ politik - Portali i Fermerit

18

Jul

Denaj në Kuvend: 540 investime të reja në bujqësi nga fondet e IPARD, kontribut që nuk e zhbën përdorimi negativ politik


Bujqësia Shqiptare është tashmë në një dinamikë zhvillimi e përmirësimi të pakthyeshëm, ndërkohë që një kontribut kolosal ka dhënë programi i BE, IPARD II.
Kështu u shpreh Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë interpelancës të kërkuar nga deputeti Agron Shehaj, për fondet IPARD.
Ministrja Denaj e nisi fjalën e saj me fakte, prova, evidenca dhe të dhëna që flasin për një kontribut të jashtëzakonshëm të programit në sektorin bujqësor të Shqipërisë, në aktivitetin ekonomik të fermerëve dhe jetën e qytetarëve.
Sipas saj, këtë kontribut nuk mund ta zhbëjë asnjë përpjekje për përdorim politik.
"Programi IPARD II, nisi në vitin 2018 pas një procesi të rëndësishëm akreditimi dhe trajnimi të kapaciteteve të brendshme institucionale. Është një program që ka kontribut të fondeve të Bashkimit Evropian në masën 75% dhe të qeverisë shqiptare në masën 25%, u shpreh Denaj, ndërsa theksoi , se ky program ka kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e njësive ekonomike të bujqësisë shqiptare, në përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe në vlerën e shtuar të produktit shqiptar në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja informoi se përmes programit IPARD II, janë realizuar 540 investime të rëndësishme në sektorë të ndryshëm bujqësor dhe janë krijuar 1000 vende pune për familjet shqiptare, të cilat janë fokusuar, në 73 investimeve në sera, 137 investime në mekanikë bujqësore, 72 pika grumbullimi, 80 investime të programit në sipërmarrjet agro-turistike, 46 investime në kantina verë dhe vreshta, 34 investime në stalla e ferma blegtorale, 40 fabrika përpunimi agro-ushqimore, 31 investime janë zhvilluar në promovimin e përdorimit eficent të burimeve të energjisë së rinovueshme.
Fermerët e mbështetur nga Programi IPARD janë kontribues kryesorë të një zinxhiri ekonomik që shkon përtej përdorimit dhe retorikës politike, u shpreh Ministrja Denaj, ndërkohë që theksoi, se jo vetëm AZHBR, por të gjithë strukturat tona që mbulojnë "procedurat" IPARD po ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar standardet më të larta të menaxhimit financiar dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve të BE-së, pjesë të këtij programi.
Gjatë kësaj interpelance, Denaj tha, se përdorimi i kësaj çështje për qëllime politike nuk e ndihmon as procesin ku ndodhemi dhe as fermerët.
Ministrja garantoi se tashmë jemi në një proces përmirësimi në çdo hallkë për të qënë më të përgatitur për një shumë edhe më të madhe në IPARD III që ofron, dhe 9 masa nga 4 masa që ishte IPARD II.
"Përgjatë zbatimit të Programit, vetë strukturat tona të auditit kanë zhvilluar auditime dhe kontrolle të brendshme ku si rezultat janë refuzuar kërkesa për pagesë nga subjektet përfituese, kur nuk janë plotësuar kriteret kontraktuale të programit", tha Denaj, .
Sipas saj fokusi tashmë është përmirësimi i institucionit dhe procedurave, ku struktura e re e AZHBR-së ka filluar implementimin e ndryshimeve, të cilat garantojnë kapacitetet e domosdoshme për përthithjen e fondeve të IPARD III.
Këto ndryshime konsistojnë në rritjen e kapaciteteve njerëzore; përmirësimin e procedurave të brendshme; digjitalizimin e proceseve nëpërmjet platformës "e-application" dhe database i çmimeve të referencës, që tashmë kanë përfunduar, rritjen e kapaciteteve sinjalizuese dhe parandaluese (early ëarning), si dhe kontrollet monitoruese me struktura audituese.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmoi angazhimin e saj për transparencë, llogaridhënie dhe zbatimin e plote të cdo hapi në planin e veprimit të cilit e kemi në proces aprovimi formal me strukturat përgjegjëse në BE.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres Denaj në seancë plenare:

Faleminderit Kryetare!
Të nderuar kolegë deputetë

Së pari, unë dua të falenderoj z.Shehaj që më thirrët në interpelancë, sepse është një mundësi për të dhënë përgjigje për shumë pyetje, për të sqaruar shumë terma dhe me keqardhje shikoj që salla është bosh nga ata, të cilët në krye të kësaj seance folën me terma të gabuara, me raporte e referencë të gabuara dhe me ulërima për të kërkuar mocion, por që sot këtu mungojnë për të dëgjuar disa përgjigje që unë do t'i jap dhe do përpiqem t'i jap tani, sot dhe sa herë do të thirrem për këtë çështje dhe për të tjera, që ministria që përfaqësoj ka detyrime.

Kontributi i Bashkimit Evropian në sektorin e bujqësisë është i një rëndësie të veçantë për:
- zhvillimin e sektorit bujqësor në Shqipëri,
- është për Qeverinë Shqiptare,
- është për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të vijuar më tej progresin e nisur në 5 vitet e fundit.

Përpara 5 vitesh filloi programi IPARD II, pas një procesi të rëndësishëm akreditimi dhe trajnimi të kapaciteteve të brendshme institucionale.

Dua të rikujtoj se është një program që ka kontribut të fondeve të Bashkimit Evropian në masën 75% dhe të qeverisë shqiptare në masën 25%, në total 96 milion euro.

Programi IPARD ka kontribuar në mënyrë domethënëse dhe e ritheksoj, do t'a tregoj me fakte përse e ritheksoj:

-në atë që është rritja dhe zhvillimi i njësive ekonomike të bujqësisë shqiptare,
-përmirësimi i sigurisë ushqimore dhe
-vlera e shtuar e produktit shqiptar.

Me shumë siguri, them se pa këtë mbështetje dhe pa fondet e mbështetjes së drejtëpërdrejt nga qeveria shqiptare që janë 5 fishuar në vitet e fundit kjo ekonomi bujqësore, që kontribuon në mënyrë domethënëse në PBB nuk do të ishte ajo që shohim sot.

Para 5 vitesh, për ata që merren me bujqësi dhe ata deputetë që vijnë nga zonat rurale, që mungojnë shumë këtu, do t'ju kujtohej shumë mirë:

• në mungesë të pikave të grumbullimit, seleksionimi dhe grumbullimi bëhej në shesh;
• malli shkonte nga fusha me temperaturat e fushës direkt në kontenierët për transport, pa kaluar në dhomat frigoriferike dhe në gjendjen e shokut sot është e domosdoshme një temperaturë 6 gradë Celcius si rezultat i atyre investimeve të ndodhura në këto dhoma ruajtëse frigoriferike;
• mungonte mekanika, por njëkohësisht edhe mangësia e certifikimit Global Gap, që siguron cilësinë;
• investimet infrastrukturore në serra, për shumë që janë nga zona e Beratit, Fierit dhe Lushnjes e dijnë shumë mirë se si është transformuar në vitet e fundit nga plastmasi në serra moderne, të cilat edhe falë ndryshimeve më të fundit të VKM-së 283 mundësuan një rritje me 20% të prodhimit për të njëjtat investime.

E për të folur me shifra dhe fakte, sepse e kërkuat dhe mendoj që është shumë me vlerë për t'a ritheksuar në IPARD II, janë mbështetur 540 investime, në çdo cep të Shqipërisë, nga veriu në jug. Janë krijuar mundësi punësimi për më shumë se 1000 punonjës dhe kemi siguruar zgjerim të eksporteve në mbi 80 tregje ndërkombëtare elitare.

Konkretisht ku kanë shkuar këto fonde? Cilat janë sot fushat e 540 investimeve:

• Janë 73 investimeve ne serra, të vendosura në zonat ku ndodh bujqësia intensive: Lushnja, Divjaka, Berati, Fieri dhe ku sipërfaqja në hektarë në serra ka shkuar nga 1000 ha serra, para 6 viteve, në 2200 ha. Nuk po flas këtu për cilësinë, por po flas vetëm për madhësinë.

• Janë realizuar 137 investime në mekanikë bujqësore me shumë agregate, traktorë për frutikulturën, pompa, plug, freza e makineri të ndryshme, që kanë lehtësuar punën e krahut, sepse bujqësia ka një peshë të rëndësishme në atë që është punë krahu, por njëkohësisht ka ndihmuar në daljen më herët në treg.

• Janë 72 pika grumbullimi, të cilat kanë përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejt nga skema IPARD dhe e kanë ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë cilësinë e produktit për eksport

• Ngritja e një rrjeti të gjerë të agro-turizmave jo vetëm që i kanë shërbyer ndryshimit rrënjësor të imazhi turistik Shqipërisë, por i kanë dhënë turizmit rural një shtysë zhvillimore të paprecedentë në çdo pjesë malore të Shqipërisë.

• Janë 80 investime të programit në sipërmarrjet agro-turistike, të cilat sot ushtrojnë një presion në prodhimin e brendshëm ushqimor edhe më të lartë se eksportet, duke i kaluar ato me 1.5 herë

• Agroturizat sot kontribuojnë në atë që është vlera e zinxhirit, sepse një agroturizëm sot kontribuohet nga 20 familje dhe angazhon 11 ha
• 46 investime janë në kantinat e verës dhe nuk më thotë dot njeri këtu, që nuk e ka shijuar këto vite, jo vetëm cilësinë më të rritur të verërave shqiptare, nuk është krenuar me verën shqiptare, që jo vetëm ka rritur eksportet, por na bën krenar me produktet që ne promovojmë,dhurojmë

• Janë 34 investime në stalla e ferma blegtorale, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në rritjen e madhësisë së fermës. Dhe në ato që kanë në vetëvete më shumë se 50 krerë.

• Programi ka kontribuar në 40 fabrika përpunimi agro-ushqimore, duke ndikuar direkt në produktit "Made in Albania

• Pa lënë munjanë 31 investime, të cilat janë zhvilluar duke mbështetur promovimin e përdorimit eficent të burimeve të energjisë së rinovueshme.

Të nderuar kolegë,

Çdo mbështetje, që fermerët dhe bujqit tanë patën marrë nga IPARD dhe mbështetja buxhetore e qeverisë shqiptare është e evidentuar dhe hartëzuar, e prekshme në çdo cep të vendit.

Mbështetja buxhetore e skemës së drejtëpërdrejt është rritur në vitet e fundit dhe do të vijojë të rritet, jo vetëm me ato që kemi anonçuar, por edhe ato që do të anonçojmë në vijim.

Faktet nuk mund të mohohen!

Sipas INSTAT në harkun kohor të pesë viteve të fundit pas zbatimit të IPARD, bujqësia shqiptare si sektor është rritur me 1,3 miliardë EURO, ose rreth 34% më shumë, nga 2.5 miliardë në 3.8 miliardë EURO.

Këto janë shifra dhe fakte dhe këto i sjell këtu për të mos dhënë asgjë më shumë se sa faktet që bujqësia është drejt rritjes dhe jo ashtu se si e pikturoni ju.
Fakte, që përforcojnë angazhimin dhe përkushtimin e të gjithëve dhe qeverisë shqiptare për të vijuar më tej me mbështetje buxhetore.

Ky është një proces, i cili si për çdo vend tjetër në fazën e para-anëtarësimit, ka si objektiv përmirësimin institucional dhe rritjen e kapaciteteve njerëzorë.
Në vijim të pyetjeve tuaja z.Shehaj do të sqaroj dhe lexoj:
A ka analizuar ministria raportin e zyrës së OLAF? A keni identifikuar personat përgjegjës në zyrat e konsulencës etj?

Po ju them në krye të herës, që ka një qasje jo të saktë të raporteve që secili nga ju i bën referencë dhe do filloj me OLAF, i cili ka kryer hetimin administrativ në strukturën zbatuese IPARD përgjatë viteve 2021-2023, ku në përfundim të këtij hetimi, iu përcoll Autoriteteve Shqiptare nëpërmjet DG-Agrit që komunikon me Ministrinë e Bujqësisë. Ekstrakti i raportit nga zyra e tij në tetor të 2023 dhe ky është dokumenti zyrtar që DG- Agri nëpërmjet zyrës së delegacionit të BE-së ka dorëzuar në Qeverinë Shqiptare.
Sigurisht është shumë e rëndësishme t'a theksoj këtu rolin e komisionit, rolin e DG-Agrit si kontraparti i vetëm, me të cilin ministria dhe qeveria komunikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Po, është e vërtetë që raporti i OLAF-it ka shkuar në organet e drejtësisë, sepse janë komunikime të caktuara. OLAF nuk komunikon në komisione, që ne bashkërendojmë. Ne bashkërendojmë me DG-Agrin dhe puna me DG-Agrin ka nisur në fund të vitit të shkuar me kthimin e përgjigjes së kërkesave për të cilat ju bëtë referencë.

Me 20 dhjetor të vitit 2023 është kërkuar pregatitja e një DRAFT Planin e Veprimit dhe në qoftë se do të kishit mundësi të hapnit faqe zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të shikonit se dy komitetet e monitorimit të IPARD i bëjnë referencë gjithë kësaj pune dhe përpjekjeje që përgjatë gjithë muajve të këtij viti kemi adresuar dhe i kemi bërë transparente.

Konkretisht çfarë punësh kemi bërë në frymë të një plani veprimi, që është ende në proces aprovimi në strukturat e Komisionit Evropian, por puna për të cilin ne kemi marrë angazhim ka filluar në janar të këtij viti.

Konkretisht:

• Kemi ndërmarrë veprime të shpejta korrigjuese, për projekte, të cilat janë pjesë e raportit OLAF për rikuperimin e fondeve;

• Është miratuar struktura e re organizative për AZHBR, që forcon mekanizmat kontrollues, parandalues dhe zbulues për çdo parregullsi;

• Po punojmë për rritjen e kapaciteteve të vlerësimit përmes sistemeve dixhitale duke mundësuar një informacion më të zgjeruar, detajuar dhe të kontrolluar për të gjithë detajet që ky plan veprimi ka marrë si angazhim;

• Mbështetur në procedura ligjore, është në proces evidentimi të plotë "roli i konsulentit", i cili më duhet të theksoj këtu, se marrëdhënia mes Konsulentit dhe Aplikuesit/Përfituesit është një marrëdhënie e lirë mes palëve.

E megjithatë, është e rëndësishme që konsulenti i përzgjedhur nga përfituesi dhe është evidentuar për sjellje joetike, në kundërshtim me ligjin, të jetë një informacion publik dhe në dije të plotë për këdo kur të bën zgjedhjen e tij.

Jo vetëm AZHBR, por të gjitha strukturat tona, që mbulojnë "procedurat" IPARD po ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar standardet më të larta të menaxhimit financiar dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve të BE-së.

Ne kemi punuar përgjatë kësaj kohe, kemi përparuar dhe kemi punuar fort dhe kemi marrë edhe vlerësime nga DG- Agri për punën që kemi bërë deri tani. Ato letra nuk erdhët të na i nxirrni këtu. Si duket nuk kanë arritur deri tek ju, por mund t'jua përcjell unë. E megjithatë, ne kemi shumë punë për të bërë, por dua të them këtu dhe të theksoj, që ne nuk kemi dalë të bëjmë politikë me këtë raport, por për të punuar dhe për të sqaruar disa çështje në aspekte proceduriale kemi nevojë t'i përmirësojmë. Por dua t'i theksoj përse nuk erdhët këtu më parë në dy momente? Përse nuk erdhët vjet në muajin tetor dhe nëntor kur progres-raporti nxorri dhe evidentoi që janë 72 parregullsi të evidentuara nga strukturat tona të brendshme dhe jo nga OLAF? S'po flas për OLAF. Po flas për parregullsitë, që strukturat tona të auditimi dhe janë disa, e do t'i përmend. Kanë raportuar parregullsi, sepse ky nuk është një proces kaq i lehtë dhe janë procedura që ne i ndjekim me rigorozitet. Përse nuk erdhët këtu kur bëmë Komitetitin 12 të Monitorimit IPARD? Hapni faqen zyrtare të monitorimit dhe i keni aty, të Komitetit 13, ku aty ka të dhëna dhe informacione edhe për këtë plan aksioni, por erdhët në momentin kur një raport vjetor, i cili ndodh çdo vit. Ju emocionoi, absolutisht, që unë jam shumë e bindur që këtu në këtë parlament duhet të japim gjithmonë përgjigje dhe unë të falenderoj pikërisht që më dhe mundësi të vij dhe të flas, por ne nuk mund t'a përdorim këtë për politikë. Dhe duhet të shkojmë dhe të shikojmë të gjitha faktet dhe shifrat.

Ne në ministri nuk kemi zgjedhur të bëjmë diskursin politik, por nuk i trëmbemi diskursit politik. Kemi zgjedhur të bëjmë punën dhe të ecim me progres-raportin, për të cilin kemi marrë angazhim dhe që ende është një draft për t'i dalë përpara pikërisht asaj kohe që ju kërkoni dhe të jetë optimale në të mirën e hapjes të kujt? Sepse IPARD III nuk është hapur. Ne sapo mbyllëm në dhjetor të vitit të kaluar IPARD II. IPARD III, që ka 9 masa nga 4 masa, që është një proces i cili kërkon një funksion më të fortë është një proces, i cili kërkon plotësimin e më shumë dokumentacioneve dhe institucioneve të forta. Jemi duke bërë pikërisht këtë, nëpërmjet strukturave dhe përpjekjes për të ndryshuar edhe aspekte të kontrollit parandalues.

Çështja ka sensivitet të lartë dhe duhet trajtuar si e tillë. E mirëkuptoj nevojën për informacion dhe jam shumë e gatshme në çdo kohë të vij dhe të raportoj çdo pyetje.

Por përdorimi i kësaj çështje për qëllime politike nuk e ndihmon as procesin ku ndodhemi dhe as fermerin.

Dua t'i garantoj pikërisht ata dhe të gjithë ju në sallë, që ne jemi duke punuar fort me të gjitha kapacitetet në të gjitha aspektet z.Spaho që ky institucion të jetë në lartësinë e IPARD III. Në qoftë se ty të duken përralla, nuk dëgjon si duhet.

Ne kemi treguar se ja kemi dalë kur ka pasur nevojë për përmirësime institucionale. Në 2019 dua të të kujtoj z.Spaho se Komisioni i Ekonomisë dhe Financave që unë si ministre Financash kam drejtuar punën dhe aksionin në 40 rekomandime të FATF-së me një punë të padiskutueshme të institucioneve dhe të kryera përpikmërisht.
Jam shumë e bindur dhe besimplotë se do ja dalim në një kohë optimale për të gjitha përmirësimet teknike të këtij plan-veprimi.

I nderuar Z. Shehaj, herën e fundit kur kishim diskutimin për zgjedhësit dolët dhe folët për çështjen në fjalë me deklarata politike dhe unë jo pa qëllim e nisa fjalën time me fakte e shifra. Ne këtu kemi përgjegjësi për atë që flasim. Sigurisht, drejtësia ka punën e vet, raportet që shkojnë atje kanë kohën e tyre për t'u analizuar. Ne kemi përgjegjësinë për të sqaruar të gjithë ata që na dëgjojnë siç duhet me terminologjinë e duhur.

Jam e bindur gjithashtu se si sipërmarrës qe jeni, e dini që proceset e kësaj natyre, e qe përfshijnë në kontraktim palët kërkojnë që palët të ndjekin me rigorozitet:
-kushtet e marrëveshjes,
-hapat procedurialë afatet dhe njoftimet përkatëse, si
-dhe dorëzimin në kohë të dokumenteve fiskale të pagesave.

Përgjatë të gjithë programit angazhimi për të evidentuar parregullsi, ka qënë e thashë pak më parë, por edhe përpjekja për të angazhuar të gjithë forcat që të gjithë dokumentat të dorëzohen sipas rregullave të jetë në përplotësim të saktë të këtyre kushteve.

Ju pyesni: A ka zhvilluar MBZHR një audit të brendshëm dhe cilat janë gjetjet?

Kontrolli është i vazhdueshëm dhe kryhet në disa institucione nga struktura të miratuara si, Autoriteti Auditues i Fondeve IPARD, dhe strukturat audituese të NAO dhe AZHBR.

Përgjatë zbatimit të Programit, vetë strukturat tona të auditit kanë zhvilluar auditime dhe kontrolle të brendshme ku si rezultat janë refuzuar kërkesa për pagesë nga subjektet përfituese, kur nuk janë plotësuar kriteret kontraktuale të programit. Këtu nuk po flasim për rastet e evidentuara nga OLAF, po flas për punën e këtyre kontrolleve, të cilat ju i kërkuat për t'i raportuar.

Kjo sigurisht do t'ju duket lajm, por nuk është një lajm ndoshta ju pëlqen politikisht, por është një lajm që u pëlqejnë atyre që kuptojnë që sistemi ka funksionuar së brendshmi. Po, së brendshmi ka mjaftueshëm struktura audituese, për të cilat po punohet.

Ju pyesni: OLAF pretendon për 33 mln euro.

Ritheksoj, se ekstrakti i Raportit nga zyra e DG-Agri dorëzuar qeverisë shqiptare evidenton raste parregullsie me një vlerë totale shumëfish më të ulët se vlera që theksohet në raport dhe terminologjia nuk është e njëjtë me atë që përdoret.
Kjo pasi strukturat audituese OLAF aplikojnë disa kritere sikundër është ekstrapolimi dhe vlerësimi i përgjithshëm i gjetjeve.
Autoritetet shqiptare do të angazhojnë një auditim të jashtëm për të kryer një auditim të plotë, duke siguruar pavarësinë nga strukturat dhe autoritetet ekzistuese, bazuar në standardet e pranuara ndërkombëtare.
Vetëm në përfundim të auditit dhe gjenerimit të këtij raporti nga ky audit i jashtëm ne do të flasim për shifra. Tani çdo gjë është e parakohshme dhe politike.
Dje, sot dhe nesër fokusi ynë institucional është dhe mbetet përmirësimi i institucionit. Struktura e re e AZHBR-së ka filluar implementimin e ndryshimeve, për të cilat kemi rënë dakord dhe ndryshime që konsistojnë:
- Rritjen e kapaciteteve njerëzore;
- Përmirësimin e Procedurave të brendshme;
- Digjitalizimin e proceseve nëpërmjet platformës "e-application" dhe database i çmimeve të referencës, që tashmë kanë përfunduar, në momentin që flasim;
- Rritjen e kapaciteteve sinjalizuese dhe parandaluese (early ëarning), si dhe kontrollet monitoruese me struktura audituese.

Të nderuar kolegë deputetë,

Formalizimi i sektorit dhe përmirësimi i aksesit të informacionit nëpërmjet strukturave digjitale për fermerët është domosdoshmëri dhe këtë ne synojmë t'a bëjmë nëpërmjet formateve tona të përmirësuara.

E theksoj, në këtë parlament të nderuar për të adresuar që këto kërkesa ne t'i transmetojmë edhe tek fermerët tanë, sepse vetëm formalizimi dhe aplikimi nëpërmjet strukturave digjitale i ndihmon ata dhe të gjithë për një program të suksesshëm.

Sigurisht, ka vend për përmirësim, ka nevojë për të parë marrëdhëniet mes palëve. Siç e thashë, marrëdheniet e konsulentit me aplikuesit janë marrëdhënie të lira dhe nuk janë detyrim procedural.

Aty ku ka pasur nevojë për masa administrative, është ndërhyrë. Për masa të reja administrative do të ndërhyet, por në asnjë mënyrë zhvillimi kolosal që ka ndodhur përmes IPARD II, nuk mund të zhbëhet dhe nuk mund t'a zhbëjë asnjë përpjekje për përdorim politik.
Faleminderit!

Kategori