01
AugKëshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre", i cili organizon rregulla të qarta për produktet organike që prodhohen në Shqipëri, sipas standardeve të BE-së.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një komunikim publik pas mbledhjes së qeverisë, bëri të ditura detajet e projektligjit, ku theksoi se, rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organikë, përdoruesin e treguesve me etiketën edhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, ruajtjes dhe shpërndarjes, importit dhe eksportit.
Denaj tha se, në projektligj janë përcaktuar dhe autoritetet përkatëse që do të kenë në përgjegjësi kontrollin zyrtar në cdo hap.
"Ligji përcakton listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve, inputeve si dhe ngritjen e një sistemi elektronik që do të menaxhohet nga MBZHR dhe mundëson vetëdeklarimin e të dhënave për inputet organike, e produktet", tha Denaj.
Ky projektligj vjen në përputhje me direktivat e BE-së.
-Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, pas mbledhjes së Qeverisë:
Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam projektligjin, i cili organizon rregullat e qarta për produktet organike të prodhuara në Republikën e Shqipërisë, të cilat do të përgatiten dhe synohen të vendosen në tregun shqiptar sipas të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian.
Në këtë projektligj rregullohen parimet për certefikimin e operatorëve organikë, që do të prodhojnë produkte organike, përdoruesin e treguesve, që i referohet prodhuesit organik me etiketën dhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes, ruajtjes dhe shpërndarjes, importit dhe eksportit.
Gjithashtu, në këtë projektligj janë përcaktuar edhe autoritetet përkatëse, të cilat do të kenë në përgjegjësi kontrollin zyrtar në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit organik.
P/ligji siguron gjithashtu miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produkteve plehruese, të cilat përcaktohen në bujqësinë organike dhe publikimin e kësaj liste sipas të gjitha standardeve të transparencës.
P/ligji parashikon gjithashtu ngritjen e një sistemi elektronik, i cili do të menaxhohet në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe që mundëson vetëdeklarimin e të dhënave për gjendjen në treg të të gjithë inputeve të fermës si farave organike, kafshët organike, rasatët e specieve të akuakulturës organike.
Gjithashtu, projektligji është pjesë e të gjithë projekt-akteve të parashikuara këtë vit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pjesë e procesit Screening dhe përafron rregulloren e Bashkimit Evropian 2018/848 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të datës 30 maj 2018.
Rregullorja ka hyrë në fuqi, në fakt në 2022, por miratimi i këtij ligji sikurse është rakorduar edhe në procesin Screening, fillon zbatimin menjëherë nga viti i ardhshëm dhe synojmë miratimin në parlament brenda këtij viti.
Faleminderit!