MBZHR bashkëpunim me pushtetin vendor për menaxhimin e masave për sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) - Portali i Fermerit

13

Jun

MBZHR bashkëpunim me pushtetin vendor për menaxhimin e masave për sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR)


Në vijim të konstatimit të rasteve të para të sëmundjes së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në territorin e Shqipërisë, Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Dritan Palnikaj, zhvilluan një takim online me drejtues të njësive të qeverisjes vendore.

Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i veprimeve për përballimin e situatës, garantimi i monitorimit të territorit dhe zbatimi i masave të menjëhershme për ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje virale, tepër ngjitëse te dhentë dhe dhitë, e cila sjell pasoja të rënda ekonomike për sektorin blegtoral.

Zëvendësministri Jaupllari theksoi nevojën për një bashkëpunim të ngushtë midis shërbimit veterinar lokal, njësive administrative dhe strukturave të rendit publik, për të siguruar kontrollin e lëvizjes së kafshëve, ndërgjegjësimin e fermerëve dhe zbatimin e masave të biosigurisë në fermat që mbajnë ruminantë të vegjël. Ai kërkoi angazhimin e kryepleqve dhe policisë bashkiake për monitorim të terrenit dhe kontrolle rigoroze në tregje, si dhe përcaktimin e vendeve të groposjes për kafshët e ngordhura në përputhje me kriteret ligjore e teknike.

Rasti i parë i konfirmuar në Shqipëri u regjistrua më 4 qershor 2025 në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër. Pasuan raste të tjera në Vrenjt (Bashkia Dibër), Val (Bashkia Bulqizë), Polenë (Bashkia Skrapar) dhe Zall-Bastar (Bashkia Tiranë), duke e çuar numrin e vatrave të raportuara në pesë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vënë menjëherë në zbatim Planin Kombëtar të Kontigjencës për këtë sëmundje, duke mbledhur Qendrën Kombëtare të Krizës dhe duke koordinuar veprimet me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Strukturat e përfshira kanë identifikuar zonat e mbrojtjes (brenda një rreze prej 3 kilometrash) dhe zonat e mbikëqyrjes (brenda 10 kilometrash) nga secila vatër e konfirmuar.

Në kuadër të masave të menjëhershme, më 9 qershor ka hyrë në fuqi Urdhri i Ministrit nr. 575, i cili ndalon përkohësisht lëvizjen e dhenve dhe dhive në të gjithë territorin e vendit, përfshirë tregtimin, shtegtimin dhe kullotjen në kullota të përbashkëta. Lëvizja lejohet vetëm drejt thertoreve të autorizuara dhe vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare. Kjo masë ka karakter të përkohshëm dhe është ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, sigurisë ushqimore dhe interesit të fermerëve.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka ngritur 39 grupe kontrolli që kanë monitoruar deri më tani 983 ferma me mbi 164 mijë krerë dhen dhe dhi. Këto grupe po evidentojnë situatën epidemiologjike në terren dhe po rrisin ndërgjegjësimin e fermerëve për rreziqet e sëmundjes. Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka qenë gjithashtu thelbësor për të ndalur rastet e paligjshme të lëvizjes së kafshëve dhe për të garantuar zbatimin e masave të përcaktuara.

Ministria ka njoftuar zyrtarisht për secilin rast të konfirmuar në Sistemin e Njoftimit të Menjëhershëm të Sëmundjeve të Kafshëve të Bashkimit Evropian (ADIS), dhe ka kërkuar mbështetje teknike nga Zyra e Emergjencave për Sëmundjet e Kafshëve pranë Komisionit Evropian, e cila ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me një mision teknik në vend.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u bën thirrje të gjithë fermerëve që të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë në fermat e tyre dhe të shmangin çdo lëvizje të kafshëve jashtë fermës pa autorizim. Për çdo rast të dyshuar me shenja të sëmundjes ose ngordhje të kafshëve, fermerët duhet të kontaktojnë menjëherë shërbimin veterinar në numrin pa pagesë 0800 3366.

Kategori