18
JunNë Qendrën e Transferimit të Teknologjisë, në Lushnjë, po zhvillohen eksperimente të avancuara me teknologji moderne dhe praktika të qëndrueshme që synojnë përmirësimin e cilësisë së prodhimit bujqësor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vizitoi sot këtë qendër, ku zhvilloi një bashkëbisedim me ekspertët mbi disa nga teknikat më premtuese që po testohen aty. Ndër to përfshihen testimet e hibridëve të rinj të specit, domates dhe pjeprit, përdorimi i insekteve të dobishme për mbrojtjen biologjike në serra, si dhe aplikimi i teknologjisë "Water retainer" për ruajtjen e ujit në tokë. Po ashtu, eksperimente të rëndësishme po zhvillohen edhe në fushën e plehërimit digjital, përdorimit të plehrave organikë, ruajtjes së resurseve gjenetike dhe testimit të kultivarëve të rinj të grurit.
Ministrja Denaj theksoi se të gjitha këto teknika po aplikohen në kushte reale toke dhe klime, duke synuar jo vetëm rendiment më të lartë, por edhe përfitime të ndjeshme ekonomike për fermerët shqiptarë.Sipas saj, zhvillimi dhe ruajtja e kultivarëve të ndryshëm janë thelbësorë për përmirësimin e cilësisë së grurit dhe produkteve të tjera bujqësore, duke ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore dhe qëndrueshmërinë e sektorit.
Një nga ekspertët e Qendrës, duke shpjeguar procesin e testimeve, bëri të ditur se ka pasur një rritje të ndjeshme të interesit nga ana e fermerëve për të aplikuar këto metoda përpara se të nisin kultivimin e hibridëve të rinj. "Në fillim ishin vetëm 3 fermerë dhe qendra, gjithsej 4, ndërsa sot kemi arritur në 600 fermerë që ndjekin këto praktika", tha ai, duke nënvizuar se përhapja e këtyre metodave është një tregues i rëndësishëm i ndikimit pozitiv që qendra ka në terren.
Ministrja Denaj u ndal edhe te rëndësia strategjike që këto metoda kanë në forcimin e sigurisë ushqimore.
Ajo u shpreh se, nëse praktikat e eksperimentuara në Qendrën Kombëtare të Transferimit të Teknologjive aplikohen sot nga fermerët, sigurohet pa asnjë diskutim një prodhim i qëndrueshëm dhe i sigurt për konsumatorin shqiptar.