Ministrja Denaj: Eksportet bujqësore arritën vlerën e 55.7 miliradë lekëve në vitin 2023 - Farmer Portal

18

Jan

Ministrja Denaj: Eksportet bujqësore arritën vlerën e 55.7 miliradë lekëve në vitin 2023


Prodhimet shqiptare po zgjerohen gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja, duke pasqyruar rritjen në cilësi dhe fuqizimin e fermerëve në vend.
Eksportet bujqësore shënuan rritje gjatë vitit që lame pas, duke e pozicionuar sektorin me ecurinë më të qëndrueshme në vitin 2023.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se, eksportet bujqësore arritën vlerën e 57.5 miliardë lekëve në vitin 2023.
Denaj tha se, "eksportet bujqësore në vlerë u rritën me 7.7% gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022".
Sipas saj, kjo është falë punës së shkëlqyer të njerëzve punëtorë të bujqësisë, të cilët pavarësisht sfidave klimatike dhe kursit të këmbimit ja kanë dalë me sukses.
"Ne do të vijojmë politikat mbështetëse për të gjithë njerëzit e punës, drejt objektivit të qeverisë 1 miliardë usd eksporte deri në 2030", deklaroi Denaj.
Treguesit pozitiv në rritjen e eksporteve, janë dëshmi e zbatimit të politikave mbështetëse për nxitjen e prodhimit vendas, rritjen e cilësisë dhe të standardeve për produktet "Made in Albania", që konkurrojnë për nga cilësia e lartë në mbi 80 tregjet e sofistikuara të Evropës dhe më gjerë. Ndërsa e kanë kthyer Shqipërinë në faktor të rëndësishëm në rajon për sa i takon eksportit të prodhimeve bujqësore.