Informacion për publikun - Farmer Portal

25

Nov

Informacion për publikun


Në kuadër të transparencës publike, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se ditën e sotme Shërbimi Veterinar Rajonal i Qarkut Lezhë, në zbatim të nenit 20, të Ligjit nr. 10465, datë 29.9.2011 "Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, ka marrë njoftimin për dyshim për ngordhje të derrave si pasojë e një sëmundjeje infektive.
Menjëherë Shërbimi Veterinar ka ngritur grupet e punës për vlerësimin e situatës dhe kryerjen e procedurave përkatëse për të konfirmuar arsyen e ngordhjes dhe ka marrë masa të menjëhershme për inspektimin dhe konfirmimin e rastit të dyshuar. Gjatë inspektimit në territor, në Njësinë Administrative Shëngjin Lezhë, në fshatin Mali i Rrencit, në lartësinë e Kodrës së Zezë, në koordinatat me gjatësi 41.82835 dhe gjërësi 19.57711, janë konstatuar 7 kadavra derrash të egër dhe të kryëzuar të shpërndarë në një rreze prej 1 km, për të cilat veterinerët zyrtarë kanë marrë kampione, të cilët janë dërguar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar brenda ditës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për kryerjen e analizave laboratorike. Është kryer asgjësimi i plotë i kadavrave, është desinfektuar zona dhe është monitoruar territori për praninë e fermave të tjera në zonë, me një rreze prej 3 kilometër, me qëllim gjurmimin dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjes së dyshuar. Në specien e derrit të egër, dyshimi për sëmundje sipas gjetjeve (lëngim klinik dhe ngordhje e menjëhershme) është sëmundja e Murtajës Afrikane e Derrit.
Murtaja Afrikane e Derrit është diagnostikuar në 11.2.2024 në Republikën e Shqipërisë dhe stafi i Shërbimit Vetrinar është i trajnuar nga Organizma Ndërkombëtare (OBSHK, FAO dhe EFSA) në lidhje me këtë sëmundje. Kjo sëmundje është prezente edhe në vendet e Rajonit, Europiane dhe më gjerë, dhe lidhur me situatën epizootike Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë masat parandaluese për bllokimin e importeve nga vendet pozitive. Drejtoria e Politikave Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka të gjithë legjsilacionin në fuqi në lidhje me masat që duhet të zbatojë AKVMB, ISUV dhe AKU.
Plani i masave është i mirë përcaktuar me detaje në legjislacionin si më poshtë:
Ø Ligji Nr. 10465, datë 29.9.2011 "Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar;
Ø Urdhëri Nr. 241, datë 3.7.2012, "Për miratimin e Rregullores "Mbi kontrollin e sëmundjes së murtajës afrikane të derrave";
Ø Plani i Kontigjencës Nr. 10350/1 prot., datë 24.11.2020"Për murtajën afrikane të derrave në Republikën e Shqipërisë"
Ø Urdhëri i Ministrit Nr. 611, datë 2.12.2021 "Për miratimin e formularit të lajmërimit të menjëhershëm të sëmundjeve infektive në kafshë dhe listën e sëmundjeve të lajmërueshme në Republikën e Shqipërisë".
Ø Urdhëri Nr. 505, datë 7.10.2016, "Për miratimin e Rregullores "Mbi problemet shëndetësore që prekin tregtinë e gjedhit dhe derrave";
Ø Urdhëri Nr. 328, datë 24.06.2014 "Për miratimin e manualit diagnostik të murtajës afrikane të derrave";
Ø Urdhëri Nr. 406, datë. 9.10.2020, "Për miratimin e rregullave dhe masave të biosigurisë që zbatohen në fermë. Murtaja Afrikane e Derrave, është një sëmundje virusale që prek specien e derrit (të butë dhe të egër). Popullatat e derrave të egër luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen në qarkullim të virusit dhe infeksionit, veçanërisht aty ku derrat janë në rritje të lirë, por dhe përmes disa shkeljeve të tjera të biosigurisë, siç janë: ushqimet e infektuara, mbeturinat e hedhura, gardhet që lejojnë kontaktin hundë më hundë, etj. Rol mund të luajë edhe transporti i derrave të egër nga gjuetarët drejt fermave. Virusi, i pranishëm në karkasat e infektuara në fushë apo pyje, është rezistent dhe mbetet infektiv në mjedisin e jashtëm deri në pranverë.
Njoftojmë qytetarët se Murtaja Afrikane e Derrave nuk është zoonozë, por ajo ka një rëndësi të madhe për ekonominë dhe popullatën e derrit, pasi shoqërohet me ngordhshmëri të lartë dhe të menjëhershme. Njoftojmë pronarët kafshëve, veterinerët privatë, teknikët veterinarë, drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, punonjësit e shërbimit pyjor, gjuetarët dhe qytetarët, që në rast dyshimi apo prani të shenjave klinike në derra të informojnë menjëherë Shërbimin Veterinar Rajonal pa vonesë në numrin e gjelbër 08003366 ose në rrugë zyrtare në adresën e e-mailit [email protected]