Ndryshimet në ligjin Për peshkimin. Përafrojmë legjislacionin me Bashkimin Evropian dhe rrisim eksportet - Farmer Portal

10

Jul

Ndryshimet në ligjin Për peshkimin. Përafrojmë legjislacionin me Bashkimin Evropian dhe rrisim eksportet


Qeveria miratoi në Këshillin e Ministrave ndryshimet në Ligjin Nr. 64/2012 "Për Peshkimin" të ndryshuar" që synon zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të peshkimit dhe rritjen e eksporteve Made in Albania.

Ky vendim do të kontribuojë në përditësimin dhe përafrimin me legjislacionin e ri të Bashkimit Evropian në fushën e peshkimit, rregullimin dhe përmirësimin e dispozitave lidhur me infrastrukturën e peshkimit, mënyrën e menaxhimit dhe transferimit të saj si dhe rishikimin e nivelit të masave për sanksionet e parashikuara.

Gjithashtu, projektligji synon zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të peshkimit. Një nga efektet e pritshme të këtij projektligji është rritja e sasisë së peshkut të zënë që reflektohet kryesisht në rritjen e eksporteve "Made in Albania", nëpërmjet anijeve shqiptare të peshkimit që do të mund të zhvillojnë aktivitet jashtë Mesdheut dhe peshku i zënë kudo në botë konsiderohet peshk shqiptar pasi origjina e peshkut varet nga flamuri i anijes së peshkimit.

Këto ndryshime reflektojnë angazhimin e qeverisë për të zhvilluar më tej sektorin dhe për të rritur konkurrueshmërinë dhe eksportet e peshkimit shqiptar në tregjet ndërkombëtare.

Në vitin 2023, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 19 338 tonë nga 17 799 tonë që ishte në vitin 2022, duke shënuar një rritje me 8.65 %.
Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë "akuakultura" me 47.27 % dhe "ujërat e brendshme" me 25.12 %, pasuar nga peshkimi "detar" me 22.02 %, ndaj prodhimit gjithsej. Specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është karkaleci i thellësisë me 19.42 %.