Informacion për publikun - Farmer Portal

14

Oct

Informacion për publikun


Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe për garantimin e sigurisë ushqimore dhe ruajtjes së shëndetit të kafshëve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon konsumatorin shqiptar, se nga viti 2021 kostot e identifikimit individual të gjedhëve dhe ripërtypësve të imët mbulohen nga buxheti i shtetit. Ky proces, kryhet nga veterinerët zyrtarë të shërbimit të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, duke i pasqyruar dhe përditësuar këto të dhëna në sistemin e identifikimit të kafshëve RUDA.

Sipas legjislacionit në fuqi, pronari i kafshëve është përgjegjës për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve. Pronarët e kafshëve të prodhimit, mbështeten nga 303 veterinerë shtetërorë të shërbimit, të shpërndarë në çdo Njësi Administrative. Ndërsa 227 veterinerë zyrtarë kontrolli kryejnë monitorimin e fermave blegtorale, si dhe kontrollin e kafshëve para dhe pas therjes, në thertore me qëllim garantimin e shëndetit të konsumatorit.

Falë nismës së Qeverisë Shqiptare për mbulimin e kostove të këtij procesi, të dhënat e matrikullimit të kafshëve të prodhimit kanë ardhur në rritje, krahasuar me vitin paraardhës. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, që ka në strukturën e tij 530 veterinerë, kryen cdo ditë identifikimin e kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale. Ky shërbim është i pajisur dhe ka gjëndje sasinë e nevojshme të matrikujve të shpërndarë në drejtoritë rajonale.

Në lidhje me situatën epizootike për sëmundjet zoonotike, informojmë publikun se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bazë të informacionit të përditësuar periodikisht në sistemin RUDA, mundëson planifikimin e masave dhe kalendarit profilaktik veterinar, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë nëpërmjet programeve vjetore të survejancës aktive dhe pasive.

Në zbatim të Urdhrit të Ministrit për programin vjetor të kontrollit dhe c'rrënjosjes së Brucelozës, për vitin 2024, është realizuar 100% plani i miratuar në gjedhët e qumështit. Për të kapilarizuar kontrollin nëpërmjet survejancës active, gjurmimi parashikon fermat me 5 e krerë e lart, ndërsa survejancën pasive kryhet për të gjithë popullatën e gjedhit në vend. Për kontrollin e sëmundjes së Brucelozës në imta Shërbimi Veterinar Rajonal vijon me zbatimin e survejancës pasive, me qëllim zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe eleminimin e përhapjes së saj.
Nga analizimi i rezultateve në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka një rënie prej 53% të numrit të rasteve pozitive me brucelozë në gjedh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Theksojmë se indikatori i drejtpërdrejtë i rezultateve të programeve të zbatuara për kontrollin e sëmundjes së Brucelozës, ndër vite është rënia e numrit të rasteve pozitive në njerëz, nga 442 raste për vitin 2012, në 29 raste për vitin 2024.

Në kuadër të programit vjetor për Kontrollin dhe c'rrënjosjen e sëmundjes së Tuberkulozit, për herë të parë pas 30 vitesh është planifikuar kontrolli i të gjithë popullatës së gjedhit në Republikën e Shqipërisë. MBZHR ka marë të gjitha masat për sigurimin në kohë të alergentit tuberkulinë Bovine dhe Aviare, e cila është shpërndarë në drejtoritë rajonale të AKVMB-së, për zbatimin efikas të programit vjetor për kontrollin dhe c'rrënjosjen e sëmundjes së Tuberkulozit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është e vendosur mbështesë zhvillimin e sektorit blegtoral, duke financuar drejtpërsëdrejti çdo vit me anë të Agjencisë Kombëtare për Zhvillim Bujqësor nëpëmjet Skemës Kombëtare. Për vitin 2024, nga skemat kombëtare deri në 14.10.2024, janë përfitues 55, 434 fermerë, nga të cilat 5,800 fermerë vetëm për tufën bazë të matrikulluar, për llojet gjedh dhe të imta. Procesi i pagesave vijon deri në 31 Dhjetor 2014.
Qeveria Shqiptare ka në fokusin kryesor të saj mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorit nëpërmjet forcimit dhe ruajtjes së standardeve të zinxhirit ushqimor në cdo hallkë të tij, nga ferma në tavolinë.