Ministrja Denaj në Kuvend: Dy ligje të reja për shëndetin e bimëve dhe kafshëve, hap kyç drejt BE-së dhe sigurisë ushqimore - Farmer Portal

26

Jun

Ministrja Denaj në Kuvend: Dy ligje të reja për shëndetin e bimëve dhe kafshëve, hap kyç drejt BE-së dhe sigurisë ushqimore


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj.Anila Denaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit dy projektligje të rëndësishme, atë "Për shëndetin e bimëve", dhe atë "Për shëndetin e kafshëve", si pjesë e reformës së thelluar për përafrimin me standardet e Bashkimit Europian dhe forcimin e sigurisë ushqimore në vend.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se këto dy nisma ligjore janë thelbësore për kapitullin 12 të acquis communautaire dhe për modernizimin e sistemit agro-ushqimor në Shqipëri.

Projektligjet synojnë jo vetëm përmirësimin e kontrollit dhe monitorimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, por edhe rritjen e kapaciteteve të mbikëqyrjes dhe reagimit në rast emergjencash fitosanitare apo veterinare.

"Nga fara deri në tryezë, synimi ynë është një bujqësi moderne, konkurruese dhe e certifikuar sipas standardeve të BE-së", tha ministrja Denaj.

Ajo nënvizoi progresin e ndjeshëm në sektor, ku eksportet e produkteve bimore shqiptare drejt BE-së janë rritur me 220% që nga viti 2016, ndërsa investimet në infrastrukturën laboratorike janë intensifikuar në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Projektligji "Për shëndetin e bimëve", parashikon një sistem të avancuar monitorimi, rritje të kapaciteteve laboratorike në 7 rajone, dhe ngritjen e ekipeve të emergjencës për përballimin e dëmtuesve karantinorë.

Ndërkohë, projektligji "Për shëndetin e kafshëve", forcon masat për identifikimin, profilaksinë, trajtimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve, si dhe përgatit vendin për t'u përballur me raste si murtaja e bagëtive të imta (PPR), aktualisht e pranishme.

Të dy ligjet janë të harmonizuara plotësisht me rregulloret e BE-së dhe janë një parakusht për përfitimin e një granti prej 6 milionë euro nga BE në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në përmbyllje, ministrja Denaj bëri thirrje për mbështetje unanime në Kuvend, duke theksuar se këto ligje janë baza për një sistem të qëndrueshëm dhe të besueshëm të sigurisë ushqimore dhe një hap konkret drejt integrimit europian.





Më poshtë fjala e plotë e ministres Denaj:



I nderuar Kryetar i seancës, të nderuar deputetë,

Paraqesim sot për shqyrtim dhe aprovim dy projektligje shumë të rëndësishme: atë "Për shëndetin e
bimëve" dhe atë "Për shëndetin e kafshëve", nisma të rëndësishme që lidhen jo vetëm me
domosdoshmërinë e rritjes së sigurisë ushqimore, por janë një dokument i rëndësishëm për kapitullin
12, për përafrimin me BE-në dhe me legjislacionin e saj.
Ligji "Për shëndetin e bimëve", që do ta trajtoj i pari, e më pas ai "Për shëndetin e kafshëve", ka në thelb
një reformë të rëndësishme që ka ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë zinxhirin agro-ushqimor, nga fara
deri në tryezë.

Ky ligj ndërthur mbrojtjen e prodhimit dhe të biodiversitetit me nevojën për rritjen e konkurrueshmërisë
së produkteve tona në tregun europian dhe më gjerë.
Në një kohë kur eksportet tona në të gjithë botën, por në veçanti në vendet e BE-së, kanë parë një rritje
të konsiderueshme nga viti në vit, veçanërisht në dy vitet e fundit me një rritje gati 20% për vendet e BE-
së, sigurisht ky projektligj vjen si një ndihmesë akoma më e madhe për të gjithë bizneset e përfshira
drejtpërdrejt në prodhim.
Produktet bimore shqiptare janë rritur nga 10060 ngarkesa në vitin 2016 në 22134 ngarkesa në vitin
2024; pra, flasim për një rritje gati 220%.
Dua t'i referohem këtu edhe shumë statistikave pozitive në lidhje me rritjen e prodhimit në sera, me gati
trefishim në vitet e fundit, sipas informacionit më të fundit të depozituar pranë INSTAT, me rritje të
konsiderueshme të prodhimit të perimeve, të vajit të ullirit dhe të produkteve të ullirit, si dhe shumë
produkteve të tjera që kontribuojnë në mënyrë të ndjeshme në rritjen e eksporteve. Prandaj, duke u
nisur nga ky parakusht, ky ligj vjen si një përafrim i domosdoshëm për këtë moment.

Ligji aktual i vitit 2016 ka qenë një hap shumë i nevojshëm në momentin që është aprovuar në
parlamentin e nderuar, por nuk i adreson plotësisht të gjitha nevojat e kohës dhe ato që lidhen me
standardet ndërkombëtare. Për këtë arsye, ligji i ri përafrohet pjesërisht, sikurse është diskutuar në
komisionet parlamentare, por vetëm në ato nene që kanë të bëjnë me statusin e vendit kandidat apo të
një vendi në proces anëtarësimi në BE.
Duke qenë se sot Republika e Shqipërisë ka këtë status, ky përafrim është i plotë dhe ka në themel:
-Forcimin e ndjeshëm të kontrollit ndaj dëmtuesve karantinorë dhe jokarantinorë përmes një sistemi të
përmirësuar të monitorimit me bazë risku;
-Vendosjen për herë të parë të një ekipi emergjencash për shëndetin e bimëve, që do të reagojë
menjëherë në rast zbulimi të dëmtuesve;
-Rritjen e kapaciteteve laboratorike në nivel kombëtar dhe rajonal;

-Krjimin e Regjistrit të Operatorëve Profesionistë, ku tashmë janë identifikuar 602 subjekte, të cilët janë
pjesë e sistemit të gjurmueshmërisë nga ferma në tregun shqiptar.

Aktualisht, sistemet laboratorike janë në përmirësim të ndjeshëm, veçanërisht në Institutin e Sigurisë
Ushqimore dhe Veterinare, por jemi në një program të thelluar me një fond gati 20 milion euro dhe me
mbështetje teknike nga Banka Botërore për 2-3 vitet e ardhshme për të shtrirë këtë infrastrukturë
laboratorike në 7 rajone dhe në të gjitha pikat kufitare, për marrjen e mostrave dhe realizimin e një
reagimi të menjëhershëm dhe në kohë për të gjithë prodhimin.

Rrjeti laboratorik është i domosdoshëm pasi garanton një kontroll të shpejtë dhe të besueshëm të
ngarkesave, por njëkohësisht edhe për sigurinë e mallrave të eksportit.
Ky projektligj parashikon masa të detajuara për klasifikimin, listimin dhe përditësimin e dëmtuesve
karantinorë, duke u dhënë autoriteteve përgjegjëse një mjet të qartë për ndërhyrje dhe bashkërendim
institucional. Mbyll boshllëqet ligjore që ekzistojnë aktualisht dhe vendos protokolle të sakta për
monitorim, njoftim dhe reagim në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Zbatimi i këtij ligji përfshin të gjithë
territorin e vendit dhe të gjitha llojet e bimëve, nga ato të kultivuara në ferma, e deri te ato në zona
urbane apo pyjore.

Objektivi është i qartë: të kemi një bujqësi moderne, të sigurt, të kontrolluar dhe të certifikuar sipas
standardeve më të mira ndërkombëtare, në veçanti atyre të BE-së. Kjo është pjesë e një reforme, në të
cilën ne tashmë kemi avancuar dhe jemi duke përafruar me shpejtësi të gjitha ligjet që lidhen me këtë
kapitull.

Për të vazhduar te projektligji "Për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve", sigurisht që është një nga shtyllat
themelore të procesit të përafrimit. Përmes zbatimit të ligjit aktual në fuqi, deri më sot është mbrojtur
dhe përmirësuar shëndeti i kafshëve, i cili bazohet në procedurat për identifikim falas, parandalimin
përmes profilaksisë veterinare, monitorimin, diagnostikimin, trajtimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të
kafshëve.
Dua të ndalem pak këtu për të theksuar se kjo punë që bëhet sot në terren na ka siguruar një situatë
epizootike të kënaqshme në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Absolutisht, edhe ne jemi një vend i prekur, si gjithë rajoni, nga sëmundja më e fundit: murtaja e
bagëtive të imta. Dua të theksoj se kemi dy vjet që në rajon kjo sëmundje ka krijuar dëme të
konsiderueshme, veçanërisht në Greqi me gati 30,000 bagëti të dëmtuara, apo në Rumani me mbi
200,000. Aktualisht, kemi 10 qendra krize, termi që përdoret për zonat ku është evidentuar murtaja -
dhe jemi duke menaxhuar situatën në mënyrë shumë efektive.

Dua të falënderoj Policinë e Shtetit dhe të gjitha strukturat e doganës për ruajtjen e kufijve nga çdo hyrje
e paligjshme. I bëjmë thirrje të gjithë fermerëve që të respektojnë protokollet dhe të kryejnë blerjen dhe
tregtimin sipas standardeve të vendosura nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Deri më sot kemi rreth 1800 kafshë të ekzekutuara dhe situata është nën kontroll, por mbetet një
situatë që ndikon në mënyrë të ndjeshme.

Ligjet që po përafrojmë sot duhet të komunikohen me të gjitha subjektet, të cilat gjithnjë e më shumë
po rrisin vëmendjen dhe ndërgjegjësimin ndaj protokolleve. Duhet të kuptojmë që këto janë detyrime
për të gjitha bizneset e përfshira në këtë sektor.
Miratimi i këtij projektligji është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet tona me tregjet
ndërkombëtare. Në momentin që ne bëhemi vend anëtar i BE-së, përafrimi i plotë i këtij projektligji,
ashtu si edhe ai për shëndetin e bimëve, do të na vendosë përballë detyrimeve të padiskutueshme, por
njëkohësisht na jep një mundësi të artë për të rritur më tej eksportet tona dhe për këto produkte.

Projektligji synon:

-Harmonizimin me standardet e BE-së në mënyrë të plotë teknike;
-Krijimin e një sistemi efikas të parandalimit, zbulimit dhe çrrënjosjes së sëmundjeve;
-Rritjen e biosigurisë;
-Sigurimin e trajtimit të barabartë për operatorët dhe përcaktimin e përgjegjësive të tyre ligjore;
-Mbështetjen për ndërveprim të shpejtë me sistemet e BE-së;
-Përgatitjen e strukturave për menaxhimin e emergjencave veterinare në mënyrë të organizuar dhe me
përgjegjësi të ndarë.

Miratimi i këtij projektligji, ashtu si edhe ai "Për mbrojtjen e bimëve", është një parakusht për
mbështetjen financiare që BE do të sigurojë, në kuadër të Planit të Rritjes (Growth Plan) për Ballkanin
Perëndimor.

Vetëm me këto dy ligje, "Për shëndetin e kafshëve" dhe "Për shëndetin e bimëve", Shqipëria do të
mbështetet me një grant prej 6 milionë eurosh, për zbatimin e tyre efektiv.

Edhe një herë, të nderuar kolegë deputetë, po flasim për dy ligje të rëndësishme të kapitullit 12. Ky
është një proces që përfshin një numër të konsiderueshëm të popullsisë që zhvillon aktivitet në ferma -

bujqësore dhe blegtorale, dhe që krijon një bazament të fortë për ndërtimin e një sistemi modern dhe
efikas në mbrojtje të shëndetit të kafshëve, të bimëve dhe, në fund, të shëndetit të njerëzve.

Ky ligj krijon bazën për ndjekje të vazhdueshme sipas rregullave të reja dhe na përafron me BE-në,
prandaj ju ftoj që ta miratoni.

Faleminderit!