18
JunNë ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua një takim teknik me fokus të veçantë mbi menaxhimin e sëmundjes së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (Peste des Petits Ruminants - PPR), me pjesëmarrjen e Prof. Assc. George Valiakos, ekspert në mikrobiologji dhe një nga figurat kyçe në çrrënjosjen e kësaj sëmundjeje në Greqi.
Prof. Valiakos ndau përvojën greke mbi kontrollin dhe eliminimin e PPR-së, duke paraqitur një analizë të hollësishme të masave të zbatuara dhe rezultateve të arritura në rajone me shpërthime të mëparshme, si specialist-supervizor i emëruar nga Ministria Greke e Bujqësisë për menaxhimin e situatës së PPR në vendin e tij.
Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi ndërinstitucional në rritje, si dhe u analizua situata aktuale në vendin tonë dhe hapat e nevojshëm për një menaxhim të suksesshëm të sëmundjes, duke ndarë eksperienca konkrete, shkëmbyer ide dhe hedhur bazat për përmirësimin e planeve të kontrollit të PPR-së në Shqipëri.
Konfirmimi i parë për sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në vendin tonë është bërë më 4 qershor 2025, me vendndodhje në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër, dhe më pas në disa njesi si të bashkive Dibër, Bulqizë, Skrapar, Devoll dhe Tiranë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u bën thirrje të gjithë fermerëve të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë në fermat e tyre dhe të shmangin çdo lëvizje të kafshëve jashtë fermës, duke zbatuar rregullat në fuqi dhe duke bashkëpunuar për një të mirë të përbashkët: ekonominë blegtorale ne vend.