Ligji për peshkimin, ndryshimet synojnë përafrimin me legjislacionin e BE - Portali i Fermerit

11

Apr

Ligji për peshkimin, ndryshimet synojnë përafrimin me legjislacionin e BE


Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim
publik projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin
Nr.64/2012, Për Peshkimin.
Ligji dhe kuadri rregullator aktual synon të përafrojë një sërë
Rregulloresh të BE-së dhe të Këshillit, të evidentuara këto gjatë procesit
të Screening, në shtator të vitit 2023, shtimin dhe riformulimin e disa
përkufizimeve, ndërtimin e politikave që rrisin konkurrueshmërinë dhe
rritjen ekonomike të vendit, krahasuar me vendet e rajonit dhe më tej.
Kjo ndërhyrje legjislative ka në fokus të saj zhvillimin e mëtejshëm të
sektorit të peshkimit, që lidhet me të gjithë zinxhirin deri në përpunim,
menaxhimin e infrastrukturës së peshkimit dhe infrastrukturës së lidhur
me peshkimin.
Ky kuadër ligjor mundëson hapjen e lejeve të peshkimit për anijet, të
cilat do zhvillojnë aktivitet në detrat jashtë Mesdheut, të pajisura me
aparaturat që mundësojnë lundrimin në distanca të largëta si dhe
mbajtjen e tyre në një regjistër të veçantë. Rritja e sasisë së peshkut të
zënë, reflektohet kryesisht në rritjen e eksporteve Made in Albania,
nëpërmjet anijeve shqiptare të peshkimit që do të mund të zhvillojnë
aktivitet jashtë Mesdheut dhe kudo në botë do të konsiderohet peshk
shqiptar, pasi origjina e peshkut varet nga flamuri i anijes së peshkimit.
Ndryshime të tjera lidhen me shkeljet dhe kundërvajtjet administrative
si: detyrimi i pajisjes së anijeve të peshkimit mbi 15 metra me sistemin
AIS, ngritjen e një sistemi monitorimi të anijeve me bazë satelitore për
monitorimin efektiv të aktiviteteve të peshkimit, të anijeve të peshkimit
me flamur shqiptar kudo që mund të jenë dhe hartimin e një
metodologjie për përcaktimin e masës administrative.

Miratimi i këtij projektligji nuk shoqërohet me kosto financiare shtesë
për buxhetin e shtetit.
Më poshtë gjeni link e draftit për konsultim publik:

https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/722?fbclid=IëAR2pI
1OnlsnyQVDCYjxËmqXA8LJOJJnHpËs2AHQVn2fubOouDyaPAtldT
eI_aem_AZyBdI60794KceG16yD1-
TqDtamZrRgfVrPZS0tUDAyRsDCRfËcAaqxuqhlUy-
R5ëUuCi9K69N115svFgt0_586j

Kategori