Bujqësia Digjitale dhe Tranformimi Rural, Denaj: Mbështesim procesin e Integrimit në BE dhe zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet digjitalizimit të sektorit - Portali i Fermerit

08

Nov

Bujqësia Digjitale dhe Tranformimi Rural, Denaj: Mbështesim procesin e Integrimit në BE dhe zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet digjitalizimit të sektorit


Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me partnerët e Kombeve të Bashkuara, Organizatën për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara (FAO), Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), dhe Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), si dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, lançoi ditën e sotme programin "Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural" (DART), një program të ri dhe novator që shfrytëzon digjitalizimin për të avancuar objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm me ndërhyrje sistematike, veçanërisht për fermerët e vegjël.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, theksoi se DART do të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE duke përmirësuar përputhshmërinë me standardet dhe rregulloret e BE-së, veçanërisht në bujqësi dhe zhvillim rural. Ajo theksoi se DART është plotësisht në përputhje me strategjitë kombëtare të Shqipërisë, siç janë Strategjia Kombëtare për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021-2027, Agenda Digjitale 2022-2026 dhe Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore.

Ministrja Denaj theksoi se digjitalizimi në bujqësi nuk është thjesht çështje teknologjie; është një ndryshim sistematik. "Përmes DART, ne synojmë të përdorim mjetet digjitale si katalizatorë për të rritur transparencën, për të përmirësuar efikasitetin e prodhimit, për të mbështetur përputhshmërinë me rregulloret dhe për të kursyer kosto në sektorin e bujqësisë" - tha ajo.

Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, theksoi se kjo iniciativë ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e bujqësisë në Shqipëri dhe ambiciet më të gjera të Kombeve të Bashkuara. "Ky bashkëpunim është saktësisht ajo veprimtari parashikuese që qëllimisht u miratua nga shtetet anëtare kur u nënshkrua Pakti për të Ardhmen në shtator të këtij viti. Duke inkurajuar inovacionin dhe duke shfrytëzuar teknologjinë, programi DART do të demonstrojë se si përpjekjet e përbashkëta mund të japin rezultate të prekshme për njerëzit" - tha ajo.

Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, tha se BE-ja është e lumtur të mbështesë këtë projekt, i cili përputhet plotësisht me objektivat e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE në sektorin e bujqësisë. "BE-ja ka njohur shumë kohë më parë rëndësinë e digitalizimit, duke e pranuar që kërkimi, inovacioni dhe teknologjitë mund të ndihmojnë bujqësinë në adresimin e sfidave kryesore, si ofrimi i ushqimit të mjaftueshëm dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së prodhimit. Digitalizimi gjithashtu mundëson administratën të ofrojë mbështetje të shpejtë dhe efikase për sektorin e bujqësisë. Teknologjitë e reja të praktikave bujqësore rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare dhe i mundësojnë prodhuesve të bëhen më të qëndrueshëm në periudha ndryshimesh klimatike. Digitalizimi është një mjet esencial për të kursyer burimet e punës që mungojnë dhe për të reduktuar gjurmën ekologjike, në përputhje me Agjendën e Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor."

Raimund Jehle, Përfaqësues i FAO-s në Shqipëri, theksoi rolin e FAO-s, së bashku me ILO-në dhe ITU-në, në këtë iniciativë duke thënë se DART është pjesë e një rrugëtimi të gjatë transformimi. "Si partner kryesor, ne kemi një angazhim për të arritur objektivat ambiciozë të programit, pa harruar kontekstin e bujqësisë shqiptare, e cila është kaq e pasur me fermerë të vegjël, produkte të cilësisë së lartë, por gjithashtu ka shumë vulnerabilitete nga ndryshimet klimatike dhe rinovimin e brezave," theksoi Jehle.

"Shkathtësitë janë një katalizator i rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik dhe nevojiten nga fermerët dhe profesionistët e bujqësisë për të përfituar nga transformimi digjital i sektorit të bujqësisë dhe, veçanërisht, për të siguruar përfshirjen e fermerëve të vegjël dhe grupeve në nevojë në këtë transformim," tha Alessandra Molz, Specialistja e Lartë për Shkathtësitë dhe Punësimin në Zyrën e ILO-së për Evropën Qendrore dhe Lindore.

"Një infrastrukturë e fortë e TIK është thelbësore për të nxitur përparim në të gjitha sektorët e ekonomisë, duke përfshirë bujqësinë. Përmes këtij projekti, synojmë të ofrojmë ekspertizën dhe burimet e nevojshme për të përmirësuar lidhshmërinë rurale dhe për të mbështetur zbatimin e një qasjeje 'blloqesh ndërtimi' për të zhvilluar dhe ofruar shërbime publike më efektivisht," tha Dr. Cosmas Luckyson Zavazava, Drejtor i Byrosë për Zhvillimin e Telekomunikacioneve të ITU-së.

Programi "Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural" (DART), është një program trevjeçar (2024-2027), që ka si qëllim arritjen e objektivave të saj përmes zhvillimit të një strategjie dhe plani veprimi kombëtar për bujqësinë digjitale të përshtatur me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian (BE), përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike digjitale përmes Portalit të Fermerëve Shqiptarë dhe zhvillimit të kapaciteteve digjitale mes fermerëve të vegjël, studentëve, shkollave dhe qendrave profesionale dhe teknike për arsimin dhe trajnimet, si dhe punonjësve të sektorit publik.

Programi i përbashkët është bashkëprojektuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë dhe zyra e Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Rreth programit

Në Shqipëri, rreth 41% e popullsisë jeton në zonat rurale, shumica e të cilëve janë të përfshirë në aktivitete bujqësore. Bujqësia mbetet një komponent i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, duke kontribuar 19% në produktin e brendshëm bruto dhe 36% në punësimin total në vitin 2020. Gati gjysma e vendeve të punës në ekonomi varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga sistemi më i gjerë bujqësor dhe ushqimor, përfshirë shërbimet, përpunimin dhe prodhimin.

Shumë faktorë ndikojnë në qëndrueshmërinë afatgjatë të bujqësisë dhe zonave rurale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, aksesin në tokë, qeverisjen, barazinë gjinore, infrastrukturën publike, tregjet, njohuritë dhe teknologjitë, si dhe faktorë të tjerë.

Shqipëria është në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që negociatat e para-anëtarësimit po zhvillohen në shumë fusha, përfshirë ushqimin, bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ky proces do të sjellë ngritjen e sistemeve të informacionit elektronik që janë në përputhje me ato të kërkuara nga BE, si sisteme dhe politika të modernizuara agroushqimore, si dhe mobilizimin e burimeve për të mbështetur zhvillimin e aftësive të fermerëve dhe përvetësimin e teknologjive digjitale.

Ndikimet e pritshme

Deri në vitin 2027, programi i Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural do të rrisë produktivitetin bujqësor dhe konkurrencën në sistemet ushqimore, do të çojë përpara rritjen socio-ekonomike, barazinë gjinore, të drejtat e njeriut dhe do të përmirësojë jetesën rurale nëpërmjet zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse me në qendër fermerët në Shqipëri.

Popullatat vulnerabël që do të trajtohen drejtpërdrejt nga programi janë: 7,500 gra që do të përfitojnë shërbime digjitale dhe 290 të tjera që do të fitojnë aftësi zhvilluese. Të rinjve të rikthyer nga emigrimi në zonat rurale, ku aksesi në arsim cilësor dhe punësim është i kufizuar, do t'u ofrohet trajnim për më shumë se 180 studentë dhe 120 fermerë të rinj.

Programi i përbashkët do të kontribuojë në arritjen e disa Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), duke përfshirë: SDG 1 (Pa varfëri), SDG 2 (Zero uri), SDG 4 (Arsim cilësor), SDG 5 (Barazia Gjinore), SDG 8 (Punë e denjë dhe rritje ekonomike), SDG 9 (Industria, Inovacioni dhe Infrastruktura) dhe SDG 10 (Pabarazitë e Reduktuara). DART do të zbatojë veprime në fushat prioritare të Forumit të OKB-së mbi Standardet e Qëndrueshmërisë dhe Thirrjes për Veprime të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke investuar në inovacion dhe teknologji, duke thelluar zbatimin me pjesëmarrje përfshirëse të grave dhe të rinjve, dhe duke përfshirë strategjitë e sistemeve ushqimore në politikat kombëtare. Ajo lidh hendekun midis vizionit dhe ndikimit, duke e shtyrë sektorin bujqësor të Shqipërisë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme të drejtuar digjitalisht, duke kontribuar në arritjen e SDG-ve globalisht.
***
Të gjitha programet e Joint SDG Fund udhëhiqen nga Koordinatorët e Përhershëm të OKB-së dhe zbatohen nga agjencitë, fondet dhe programet e Sistemit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNSDG). Me mirënjohje për kontributet nga Bashkimi Evropian dhe qeveritë e Belgjikës, Danimarkës, Gjermanisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Monakos, Mbretërisë së Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Portugalisë, Republikës së Koresë, Arabisë Saudite, Spanjës, Suedisë dhe Zvicrës, në një lëvizje transformuese për arritjen e SDG-ve deri në vitin 2030.

Kategori